E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankier i mirë, në garë gjimnazet e kryeqytetit

Banka e Shqipërisë ka vënë në garë nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit. Dje u çel në Tiranë konkursi me temë "Vlera e vërtetë e parasë", me nxënësit e viteve të treta të të gjitha shkollave të mesme. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, u shpreh se "Banka e Shqipërisë synon të njohë nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme të Tiranës me funksionet e bankës dhe ndikimin që ka në ekonominë e vendit". Njohuritë e marra gjatë këtyre muajve, nxënësit do t‘i shpalosin për pesë ditë me radhë dhe më në fund do të dalin edhe fituesit.
Organizimi i këtij aktiviteti ka për qëllim të nxisë interesin e brezit të ri në lëndën e ekonomisë, biznesit dhe financës. Po kështu, ai pritet të shërbejë si shtysë edhe për drejtimin e të rinjve në universitete e më gjerë. Përmes këtij konkursi, i cili do të vazhdojë nga data 2-5 prill, skuadra nxënësish të përbëra prej tre vetash, do të prezantojnë njohuritë e marra mbi funksionet e Bankës së Shqipërisë, politikën e saj monetare dhe ndikimin që ajo ka në ekonominë e vendit. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të përpjekjeve që po ndërmerr Banka Qendrore për edukimin e publikut në fushën e bankingut qendror, ekonomisë dhe financës. U zgjodhën grupmosha të viteve të treta të shkollave të mesme, sepse në programin mësimor që zhvillohet në këto shkolla është përfshirë lënda me njohuritë bazë mbi ekonominë. Po kështu, periudha e zhvillimit të konkursit përkon me atë të shpjegimit në klasë të kapitullit mbi paranë, bankën, tregjet, dhe inflacionin. Me pak fat dhe me shumë punë ndoshta këta të rinj që po edukohen me terminologjinë e re të ekonomisë së tregut mund të bëhen pjesë e bursës shqiptare. Ky institucion nuk funksionon ende në vendin tonë edhe pse shpesh është premtuar për çeljen e saj. Përveç sistemit bankar të liberalizuar në vend, përpara Bankës së Shqipërisë "triumfon" edhe tregu i zi i valutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›