E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hartuesit e listës së ilaçeve të shitura te depot farmaceutike"

Lista e re e propozuar për t‘u futur në rimbursimin e vitit 2008 nuk është bërë sipas kritereve apo sipas përmbushjes së nevojave të pacientëve. Ajo është vendosur sipas propozimeve të disa prej anëtarëve, të cilët janë "blerë" nga depot farmaceutike. Deklarata të tilla janë bërë dje nga kreu i Sindikatës së Pensionistëve, i cili për pak ditë do të nxjerrë një analizë të detajuar lidhur me futjen e ilaçeve të reja në listën e parë të rimbursimit. Dy ditë pas bërjes publike të propozimeve të reja për listën e re të barnave, kreu i pensionistëve ka reaguar duke thënë se nga kjo listë pensionistët janë të pakënaqur. Dy prej ilaçeve që kanë alternativa të kombinuara nuk janë aspak të provuara, nëse janë cilësore dhe efektive njësoj sa ato të mëparshmet. "Të gjitha medikamentet janë alternativa të tjera të dyta, që do të thotë se janë zëvendësime të aktualeve. Për sa i takon vendosjes së këtyre barnave, mendoj se hartimi i listës është bërë nga ata anëtarë që janë shitur te depot farmaceutike. Konkretisht, në listën e barnave vendosen ato ilaçe të depove që kanë blerë më shumë anëtarë të komisionit", tha dje për gazetën "Shqip" Isa Gorica. I pyetur për këto ilaçe, të cilat rezultojnë të jenë prodhime të huaja dhe të shtrenjta, Gorica i është përgjigjur se të tilla deklarata nuk janë të vërteta, pasi këto ilaçe nuk përmbushin nevojën e shumicës së pacientëve pensionistë, që trajtohen me barnat e listës me rimbursim.

Ministria e Shëndetësisë

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar se të gjitha barnat e propozuara nga Komisioni i Listës së Barnave janë prodhime të huaja, të cilat janë të njohura në botë, njëkohësisht janë cilësore dhe kombinime të reja shkencore.

"Propozimet për listën e re të barnave janë bërë duke u nisur edhe nga kërkesa e ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, për të futur ilaçe cilësore këtë vit. Megjithatë, për sa i takon kostos së lartë, mund të them se të drejtën për ta miratuar përfundimisht fondin dhe listën e ka qeveria", sqaroi Lavdim Elezi, shefi i drejtorisë farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, shkalla e sëmundjes është një preventiv, i cili nuk mund të parashikohet njësoj si në fushat e tjera të ekonomisë.

Ilaçet e shtrenjta

Duke u nisur nga propozimi i listës, gazeta "Shqip" ka kërkuar për vendet e prodhimit të këtyre 25 ilaçeve të reja, të cilat janë propozuar për t‘u futur në rimbursim të 2008. Rezulton se shumica e tyre janë prodhime amerikane dhe kanadeze. Çmimet janë relativisht të shtrenjta, pavarësisht se ka ndryshime mes tregtimit dhe çmimeve të firmave konkurrente. Sipas Institutit të Kujdesit Shëndetësor, në listën aktuale të barnave të rimbursueshme u bënë disa përmirësime në formdoza, për të cilat ISKSH u shpreh në favor, pasi arrin të mbulojë koston financiare. Për sa i takon kombinimit Valsartan+Amlodipin, ISKSH u shpreh se është i pamundur përballimi financiar. Këto dy barna, që shërbejnë për trajtimin e tensionit të zemrës, ndodhen në listën aktuale të rimbursimit. "Kombinimi i tyre ka një kosto prej 25 milionë lekësh të reja më shumë", ka njoftuar zyrtarisht ISKSH-ja. Veç kombinimit të mësipërm edhe barin Risperidon, me të cilin trajtohen pacientët me sëmundje mendore. Ai ka një kosto tepër të lartë. Ky bar është propozuar të futet në formën e lëngut, ndërkohë që në listën aktuale jepet me tableta. Ky ndryshim, nga tableta në lëng, kushton 50 milionë lekë të reja vetëm për 100 pacientë, ndërkohë që janë 2100 të tillë. "Është një sëmundje që trajtohet në listë me disa barna, ndërkohë që një ndryshim i tillë ka një kosto të papërballueshme", kanë theksuar përfaqësuesit e ISKSH-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›