E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia jep 25 bursa studimi për doktoraturë dhe gjuhë

Greqia ka çelur aplikimet për studime pasuniversitare për vitin akademik 2008-2009. Janë 15 të drejta studimi për master dhe doktoraturë dhe 10 për studime të gjuhës greke. Lajmin e bëri të ditur dje, Ministria e Arsimit. Sipas saj, Ministria e Arsimit e Greqisë ka shpallur programin e saj të bursave për shtetasit e huaj të vendeve të Ballkanit, Evropës Lindore etj.

Kandidatët që aplikojnë për bursat greke të jenë nën moshën 35 vjeç dhe të mos kenë përfituar bursë më përpara nga Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Fesë të Greqisë.

Për vitin akademik që po vjen, shteti fqinj ka akorduar dhjetë bursa për studime të gjuhës greke. Studime të cilat do të zgjasin një vit akademik. Po kështu janë dhjetë bursa për studime pasuniversitare të nivelit master. Ato do të zgjasin deri në tre vite akademike (2008-2011). Për doktoratura, Greqia akordon pesë bursa, të cilat zgjasin deri në tre vite akademike.

Ndryshe nga shtetet e tjera me të cilat Shqipëria ka marrëveshje bashkëpunimi, Greqia i përzgjedh vetë kandidatët fitues për këto bursa. Vetëm formulari i aplikimit tërhiqet pranë Ministrisë së Arsimit, të gjithë procedurat e tjera kryhen në ambasadë ose në konsullata greke në vendin tonë. Bursat e lartpërmendura mund të fitohen nga shtetasit shqiptarë, por nuk janë të gjitha të destinuara për to. Sipas vendimit të qeverisë greke, këto 25 bursa janë për shtetas të vendeve nga Evropa Lindore, Azia etj. Pra kandidatë nga këto shtete konkurrojnë mes tyre me anë të dosjeve që dorëzojnë nëpër ambasada dhe këto të fundit bëjnë përzgjedhjen.

Aplikantët duhet të dërgojnë, deri në datën 15.05.2008, në Ambasadën Greke në Tiranë, Konsullatën Greke në Korçë dhe në Konsullatën Greke në Gjirokastër, dokumentet e mëposhtme: Formularin e aplikimit, i cili mund të tërhiqet pranë sektorit të marrëdhënieve me jashtë në MASH; fotokopjen e letërnjoftimit ose të pasaportës; diplomën e mbarimit të studimeve të larta; dëshminë për njohjen e gjuhës së huaj që kandidati pretendon se di; dy letra rekomandimi; CV; raportin mjekësor për aftësi studimesh; kursin e studimeve që dëshiron të ndjekë; certifikatën e lindjes me fotografi; dëshminë e pranimit nga një universitet në Greqi ose nga institucioni kërkimor-arsimor, 4 fotografi 4x6. Dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përkthyera në greqisht, në anglisht ose në frëngjisht dhe të noterizuara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›