Bankina e Kombëtares, shfaqet kroati Kranjçar
Rrethi i emrave dhe afati kohor për caktimin e trajnerit të ri të Kombëtares, po reduktohet me urgjencë, ndërkohë që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhe një javë kohë për të emëruar pasardhësin e Ari Hanit (të shkarkuar) në krye të bankinës kuqezi.
Në fakt, nga korridoret e FSHF-së dalin gjithmonë versione jozyrtare për emrat më të mundshëm për të drejtuar përfaqësuesen tonë në tri ndeshjet e fundit zyrtare të fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror 2010 ato kundër Portugalisë, Danimarkës (të dyja në Tiranë) e Suedisë në transfertë.
Të paktën deri ditën e diel, emri më i lakuar në agjendën e presidentit Duka ishte trajneri i njohur slloven, Sreçko Katanec, i cili para disa javësh dha dorëheqjen nga drejtimi i Maqedonisë fqinje menjëherë pas humbjes së këtij vendi me Holandën (4-0), ku si shkak kryesor, sipas medieve maqedonase, ishin mosmarrëveshjet e teknikut me sulmuesin Goran Pandev.
Shtypi sportiv shqiptar aludoi edhe për disa komunikime telefonike të 46-vjeçarit, që arriti të çojë në Slloveninë në finalet e një kompeticioni të madh, si Kampionati Botëror. Katanec ka një njohje relative për Kombëtaren shqiptare, pasi kur ishte në drejtimin e Maqedonisë e Shqipëria drejtohej nga Oto Bariç fitoi me kuqezinjtë 1-0 në miqësoren e zhvilluar në Shkodër në shkurt të vitit 2007.
Por, ndërsa lista formale numëron më shumë se 20 emra kandidatësh, gjermanë, italianë e një duzine ballkana, që nga kroati Luka Bonaçiç, gjermanët Evald Linen, Guido Bukvald dhe Klaus Topmëler, italianët Nevio Skala, Valter Novelino, Alberto Malezani apo Eugenio Fasheti, anglezi Glen Hodëll, rumunët e njohur, Angel Jordanesku dhe Goerge Haxhi, një emër tjetër po përmendet gjithnjë e më shumë: kroati Zlatko Kranjçar, i cili ka drejtuar Kombëtaren e vendit të tij në përiudhën 2004-2006, duke e çuar Kroacinë në finalet e Kupës së Botës 2006. Interesant është një fakt, se Kranjçar e mori drejtimin e Kroacisë pas Oto Bariçit, ish-teknikut të Kombëtares shqiptare. Në 25 ndeshje me përfaqësuesen kroati, 52 vjeçari, regjistroi 11 fitore, 8 barazime e 5 humbje.
300
mijë euro është shuma që pritet të vendosë Federata Shqiptare e Futbollit për trajnerin e ardhshëm të Shqipërisë. Këtu përfshihet edhe puna për tri ndeshjet e ardhshme të këtyre eliminatoreve.
Ikja e Ari Hanit
Ari Han i dha fund aventurës së tij me Kombëtaren dhe futbollin shqiptar, 16 muaj pasi holandezi drejtoi pa sukses kuqezinjtë e kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga përfundimi i fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”, por duke marrë si kompensim për pranimin e dorëheqjes një faturë të kënaqshme financiare: 24 mijë euro plus. Hani e mori ekipin, më 3 janar 2008 dhe e la më 15 prill 2009.
7 ndeshje, 6 pikë
Pas një fillimi befasues në katër ndeshjet e para, ku spikasin dy barazimet e mëdha me Suedinë në Tiranë (0-0) e Portugalinë në Braga, të shoqëruara edhe me fitoren kundër Maltës (3-0) në “Qemal Stafa” e humbjen me Hungarinë (2-0) në “Ferenc Pushkash”, pjesa e dytë e aventurës së Hanit ishte një katastrofë e vërtetë: 0-0 në Maltë, 0-1 me Hungarinë në Tiranë dhe 0-3 me Danimarkën në Kopenhagen. Ndeshjet për t’u luajtur: Portugali, Danimarkë, Suedi.
21 Prill 2009