E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindet me Canën, më pas e fton për një birrë



Olimpiku i Marsejës vazhdon të kryesojë kampionatin francez, por Lorik Cana do të mungojë në ndeshjen e ardhshme kundër Lilës, më 26 prill, pasi kapiteni shqiptar u ndëshkua me karton të kuq në takimin e fituar 2-1 në transfertë kundër Lorient.
Trajneri belg i Marsejës e konsideroi si të ekzagjeruar ndëshkimin e lojtarit kryesor të tij: “Është një budallallëk. Nëse rishikon aksionin, duket qartë që është i ekzagjeruar nxjerrja e kartonit të kuq”.
Madje, edhe lojtari i Lorientit, Arno Lë Lan, i ndëshkuar edhe ai me karton të kuq pas një grindjeje me Lorikun, e konsideroi sanksionin administrativ si shumë të ashpër. “Është më mirë ta anulojnë kartonët e ne të paguajmë gjobën, - shpreh keqardhjen e tij Lë Lan. “Sinqerisht, ka gjeste edhe më të rrezikshme. Kur ne ishim në pistë, asnjë goditje nuk u shkëmbye midis nesh. Ne ishim të bindur që të dy se topi na përkiste secilit. Më pas na shpëtoi situata nga duart, kjo është njerëzore”.
Pas daljes me karton të kuq, si Cana ashtu dhe Lë Lan e ndoqën fundin e ndeshjes, duke qëndruar në korridor. “Nëse atje (në stadium) do të kishte pasur një bar, ne do të kishim pirë me qejf një birrë së bashku, pasi midis nesh nuk ekziston asnjë problem”, - tha me të qeshur Lë Lan. Komisioni i Disiplinës së Ligës 1 franceze do të vendosë për vendimet e mëtejshme ditën e enjte.
Sipas medieve franceze, Lorik Cana është i qetë përpara vendimit të Komisionit të Disiplinës. “Unë nuk kam pse të shqetësohem. Arno dhe unë u ndëshkuam njëherë në fundjavë, nuk kemi pse të merakosemi më shumë. Gjyqtari më tha se e kishte nxjerrë të kuqen nga raporti dhe përmasa që mori incidenti. E donim që të dy topin. Ai shikonte anësorin dhe i thoshte ‘topi është për Lorient”. Unë, nga ana ime shikoja gjyqtarin dhe i thosha ‘topi është për Marsejën”. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Rëndësi ka që nuk pati dhunë”, - tha Cana.
Olimpiku i Marsejës shihet dukshëm si favoriti kryesor për të fituar kampionatin francez, ndërkohë që Olimpiku i Lionit duket se nuk e ka më petkun e të qenit kampion, duke dëshmuar profilin e një ekipi në fundin e mbretërimit shtatëvjeçar. Cana thotë se tani është momenti për të qenë të vetëdijshëm se kampionati i përket skuadrës së tij, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë për t’u luajtur. Kalendari i ndeshjeve të ardhshme flet në favor të Olimpikut të Marsejës. Cana, një kapiten i mirë e një udhëheqës simpatik në fushë thotë me zë të lartë: “Kemi dëshirë të jemi të parët”.

c

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›