E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina në greminë, vdes 27-vjeçari

RRESHEN - Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në orët e vona të pasdites së djeshme në segmentin rrugor Rrëshen-Shpal. 

Një 27-vjeçar humbi jetën kur automjeti të cilin ai po drejtonte doli jashtë rruge dhe përfundoi në greminën 80 metra të thellë. Gjon Deda, nga fshati Peshqesh i komunës së Oroshit, nuk ka mundur t'i shpëtojë vdekjes, edhe pse vetëm pak minuta pas aksidentit ishte nën kujdesin e mjekëve. Sipas policisë, autovetura tip "Opel" me targa të Mirditës, sapo ka kaluar në pikën më të lartë të këtij segmenti rrugor, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, në vendin e quajtur "Maja e Malthit", ka devijuar në krahun e djathtë të saj, duke përfunduar në një greminë e krijuar nga lugina e lumit të Fanit. Devijimi i mjetit në afërsi të vendit ku degëzohet rruga për në fshatin Peshqesh, është parë nga disa kalimtarëve të rastësishëm, të cilët kanë shkuar menjëherë tek vendi ku ishte ndalur makina. Me shumë vështirësi ata kanë mundur që të nxjerrin prej llamarinave të deformuara të mjetit, drejtuesin e saj, 27-vjeçarin Deda. E lajmëruar nga këta persona në vendngjarje, për jo më shumë se 10 minuta ka mbërritur një ambulancë me personel të specializuar mjekësor, që shërbejnë pranë kampingut të "Bechtel-Enka". Por situata nuk ishte e favorshme për mbijetesën e të riut Deda. Pas ndihmës së parë i riu është transportuar me urgjencë për në spitalin e Rrëshenit, por sapo ka mbërritur aty Deda ka ndërruar jetë. Po dje një aksident me pasojë 4 të plagosur ndodhi në aksin rrugor Fier-Lushnjë. Si pasojë e përplasjes së një automjeti tip "Benz" dhe një furgoni kanë mbetur të plagosur tre pasagjerë të furgonit dhe drejtuesi i tij. Policia ka vënë në pranga drejtuesin e automjetit "Benz", Ilirjan Kroi, i cili është cilësuar si shkaktar i këtij aksidenti.       r.n/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›