E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga dy ish-zyrtarëve të KESH, shitën transformatorin

Abuzonin me de-tyrën, bien në pranga dy zyrtarë të lartë të KESH-it në Lushnjë. 

LUSHNJE/ Majlinda Rama

Ish-kreu rajonal i Korporatës, Sheme Krasniqi si dhe kryeinxhinieri Eklem Polleshi akuzohen se kanë shitur pajisje të ndryshme elektrike, duke futur në xhep miliona lekë.
Burime zyrtare të policisë së Fierit bënë të ditur se Krasniqi, 55 vjeç dhe Polleshi, 40 vjeç, kanë arritur të përvetësojnë shumën e 300 mijë dollarëve, të marra këto direkt nga shitja e një transformatori. Këto veprime i kanë kryer në periudhën 2006-2007, kur transformatori i është shitur një biznesi privat. Gjatë procedurave të aktit të shitjes së transformatorit, pajisja rezultonte e ardhur nga Gjermania. Të paktën kështu ka deklaruar në ato kohë vetë blerësi i transformatorit, i cili nuk ka pasur dijeni se kush ishin "tregtarët" e vërtetë të mallit që ai po blinte. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se dy ish-funksionarët, me detyrë në vitet 2003-2007, së fundi ishin nën survejimin e uniformave blu, të cilët kanë ndjekur për një periudhë relativisht të gjatë çdo lëvizje dhe aktivitet të tyre, duke grumbulluar materialin e nevojshëm për të vënë në pranga Polleshin dhe Krasniqin. Mësohet se dy të arrestuarit në periudhën kur ushtronin detyrën në postet drejtuese të KESH-it kanë abuzuar me detyrën, duke shitur edhe kabllo elektrike, kontatorë elektrikë, siguresa dhe shumë pajisje të tjera të domosdoshme për ndërtime banesash dhe ngritjen e kabinave elektrike. Përfitues të këtyre materialeve kryesisht ishin ndërtues pallatesh dhe biznesmenë, të cilët duke përfituar nga çmimet tepër të leverdishme, krahasuar me tregun, kanë përfituar nga "ofertat" e dy të ndaluarve, por sipas policisë nuk e dinin se ata vidhnin shtetin. Dyshohet se dy të ndalurit mund të kenë edhe bashkëpunëtorë të tjerë brenda ndërmarrjes elektrike, të cilët i ndihmonin në sigurimin dhe shpërndarjen e materialeve elektrike. Ky fakt nuk konfirmohet nga policia e Lushnjës dhe e Fierit që po merren me ndjekjen e kësaj dosjeje, për arsye të ruajtjes së sekretit të hetimit. Mbi dy të ndaluarit rëndon akuza "vjedhje me shpërdorim detyre në rrethana rënduese", ndërkohë që i gjithë materiali procedural i ka kaluar Prokurorisë së rrethit Lushnjë për hetime të mëtejshme, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›