Tmerri nga zjarret, evakuohen banorët
VLORE/FIER
Qindra hektarë me pyje në Vlorë, Fier dhe Lushnjë u përfshinë dje nga zjarri, ndërsa mijëra banorë u evakuuan, pasi flakët mbërritën deri tek banesat e tyre. Situata alarmante që preku zonat turistike, vuri në lëvizje gjithë strukturat e mundshme, ndërsa familjet vendase e turistët e terrorizuar vrapuan për të shpëtuar nga flakët dhe asfiksia nga tymi. Si pasojë e zjarrit të papritur në kodrat e Orikumit dhe në fshatin Dukat në Vlorë, pati edhe të lënduar, ndërkohë që disa banesa u dëmtuan. Gjendje paniku ka qenë gjatë gjithë ditës së djeshme edhe në Fier dhe Lushnjë. Në fshatin Darëzezë, pranë Semanit si dhe zonat e tjera, rreth 5000 banorë lanë shtëpitë e tyre dhe vrapuan për të shpëtuar kokën. Zjarri ka vijuar deri në orët e mbrëmjes, duke vënë nën forcën e tij disa shtëpi e hotele. Ndërsa në plazhin e Semanit, pushues të terrorizuar vraponin për të shkuar sa më larg zonës së zjarrit, duke lënë në çadra gjithçka kishin me vete. Paniku ka zgjatur me orë të tëra, derisa repartet e zjarrfikëseve të ndihmuar edhe nga forcat e policisë e ushtrisë, por edhe banorë të zonave ku ranë zjarret mundën të vinin situatën nën kontroll. Në orët e vona të natës, situata paraqitej disi më e normalizuar, megjithëse disa vatra zjarri sërish paraqisnin rrezikshmëri.
Vlorë
Qyteza e Orikumit në Vlorë si dhe një pjesë e fshatit Dukat përjetuan dje një situatë alarmante dhe paniku. Rreth orës 12:00 në fushën e Dukatit, brenda pak minutash flakët u shpërndanë pothuaj në të gjitha drejtimet. E favorizuar dhe nga era dhe temperaturat që arrinin në 40 gradë, shumë shpejt flakët përfshinë edhe kodrat e Orikumit. Në Fushë-Dukat flakët përpinë mbi 300 hektarë, 12 banesa rrezikuan të digjeshin dhe dy prej tyre u dogjën pjesërisht. Banorët e Dukatit luftuan me flakët që u kishin rrethuar shtëpitë, pasi larguan më parë fëmijët dhe të moshuarit nga fshati. Gjatë operacionit mbetën të asfiksuar dy banorë, ndërsa një tjetër u plagos në zonën e Orikumit. Në pjesën e sipërme të qytezës zjarri shkrumboi kullota të tëra, stane, toka të mbjella, vreshta si dhe drurë frutorë. Rreth 250 hektarë u shkrumbuan në Orikum, ndërsa një banesë u dëmtua. Banorët pohuan se, fillimisht kishin parë disa vatra të vogla, por papritur flakët u përhapën me shpejtësi. Fëmijët dhe gratë ishin në panik për situatën e krijuar, teksa shihnin flakët që u afroheshin banesave të tyre. Ata u evakuuan duke marrë me vete edhe të moshuarit. Në këtë zonë, sipas policisë 60 banesa u rrezikuan. Zjarrfikësve iu bashkuan edhe forca të ushtrisë dhe policisë. Me mjete rrethanore si lopata, shkurre dhe ujë ata luftuan me orë të tëra me flakët. Pjesë e grupeve të shpëtimit madje u bënë edhe turistë, që kishin ardhur në Orikum për pushime duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Rreth orës 16:00 u dëmtua edhe një fabrikë uji në Dukat, ndonëse jo në përmasa të mëdha. Pasdite iu shtua forcave për shuarjen e zjarrit dhe reparti ushtarak i Pashalimanit. Sipas hetimeve, vendosja e zjarrit është e qëllimshme. Policia ndaloi një 75-vjeçar, në Dukat, ndërsa janë dhe disa të tjerë të dyshuar për zjarrvënie.
Fier
Edhe në zonën e Fierit, duke përfshirë edhe atë të Lushnjës, situata nga zjarret dje ishte alarmante. Banorët e zonave të përfshira nga zjarret kanë lënë shtëpitë. Disa prej tyre janë larguar me se kanë munduar për në qytetin e Fierit, si e vetmja mundësi shpëtimi. Më shumë se 5 mijë banorë u evakuuan, ndërsa rreth 30 hektarë pyll në Seman u dogjën. Më problematike ishte zona e Darëzezës duke vënë në rrezik jetën e banorëve. "Ikën të gjithë. Kush me furgonë e kush me motorë e biçikleta. Pothuajse asnjë nuk ka ngelur në fshat", tha një banor teksa nxitonte të ikte edhe ai me fëmijët e tij. Ndërkohë, flakët që arritën në 10- 15 metra të larta shkrumbuan totalisht një pjesë të mirë të pyllit me pisha në plazhin e Semanit. Rreth orës 14:40, flakët përpinë me shpejtësi pyllin, ndërsa terrorizuan plazhistët, të cilët janë detyruar të largohen me rroba banje, duke lënë në çadra gjithçka. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat zjarrfikëse të Fierit të ndihmuar edhe nga efektivët e Ballshit, Patosit, Lushnjës, Vlorës dhe Roskovecit, e madje u nisën edhe ata të Tepelenës. Por si të mos mjaftonin zjarret në plazhe, dje flakët përfshinë edhe disa fshatra. Në Visokë zjarri rrezikoi shumë pasi ra afër puseve të naftës. Situata alarmante ishte edhe në fshatrat Zharrëz, Ruzhdie dhe Mbyet ku u rrezikuan disa shtëpi. Ndërkohë, që tre shtëpi u dogjën edhe në Lushnjë. Policia tha se është duke hetuar shkaqet e këtyre zjarreve dhe se, shumë shpejt personat përgjegjës do vihen para drejtësisë. q.b/m.r
Djeg shtëpinë me bishtat e cigareve
DEVOLL - Hedhja e pakujdesshme e bishtave të cigareve që po konsumonte i kanë kushtuar shtrenjtë një 60-vjeçari në Ponçarë të Devollit. Shtëpia e tij me gjithë ç'kishte brenda është djegur, duke e lënë atë dhe familjen e tij në qiell të hapur. Ngjarja ku është shkrumbuar banesa e Shaban Hyskos, banor i Ponçarës ndodhi mbrëmjen e së dielës. Një telefonatë e banorëve të zonës lajmëroi policinë për zjarrin që kishte përfshirë banesën e 60-vjeçarit, por në kohën që ata kanë mbërritur në vendngjarje zjarri kishte përpirë gjithçka. Mbrëmjen e së dielës, pas një dite të lodhshme pune, Hysko është ulur në oborrin e shtëpisë. Gjatë qëndrimit ai ka ndezur disa cigare radhazi, pa vënë re se ku e hidhte fundin e tyre. Gjatë ditës ai kishte mbajtur bar për bagëtinë nga luadhet dhe para se ta vendoste në plevicën, që ndodhej pak metra larg banesës e ka lënë atë në oborr. Hedhja e pakujdesshme e një bishti cigareje i ka vënë flakën barit. Mësohet se në fillim mori zjarr bari në oborr, më pas kasollja e barit dhe brenda disa minutash zjarri përfshiu banesën e tij. Edhe pse në fshat kanë shkuar zjarrfikëset, gjithçka ka qenë e kotë sepse zjarri kishte djegur gjithçka. j.gj
Digjen mbeturinat, rrezikohet fshati
GJIROKASTER - Ndezja e një grumbulli mbeturinash për pak sa ka shkaktuar një tragjedi të konsiderueshme me pasoja në njerëz në Terihat të Gjirokastrës. Zjarri që përfshiu rreth 4 hektarë kullotë është konstatuar në orët e mesditës së djeshme në afërsi të zonës së banuar të fshatit, i cili ndodhet 10 kilometër në jug të qytetit. Me të marrë njoftimin, në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë, të cilat janë ndihmuar në këtë aksion edhe nga popullata civile. Për gati dy orë, është luftuar për lokalizimin e flakëve, të cilat përparuan gjithsesi në një zonë djerrë, ku vuri nën vete 4 ha tokë. Me gjithë punën e zjarrfikësve dhe të policisë për shuarjen e flakëve, ato arritën të përpinin një pjesë të konsiderueshme të kullotës. "E rëndësishme, - u shprehën zjarrfikësit,- ishte evitimi i flakëve nga zona e banuar, pasi ato ishin më pak se 30 metra larg tyre". "Zjarri është vendosur në një grumbull plehrash nga disa fëmijë", tregoi një prej dëshmitarëve në vendngjarje. Mirëpo të tjerë kanë deklaruar se flaka është vënë nga një person, i cili dëshironte të zhdukte mbeturinat me anë të zjarrit. Rasti i sotëm është i katërti brenda pesë ditëve të fundit, duke sjellë një dëm prej 12 ha kullotë të djegur vetëm në Rrethin e Gjirokastrës. p.n