E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorci çon dy familjet nga krushqia në gjyq për vrasje

Dy familje banuese në Tiranë brenda një nate të vetme mbyllën epokën e krushqisë mes tyre, ndërsa tani katër persona nga njëra palë dhe gruaja e familjes tjetër, kanë përfunduar në gjyq me akuzën e vrasjes. 

 Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për përleshjen me thika mes dy familjeve Zaka dhe Oshafi dhe ka dërguar për gjykim në një dosje të vetme, katër anëtarë të njërës familje dhe një grua nga pala tjetër në konflikt. Ata akuzohen se tentuan të vrasin njëri-tjetrin, gjatë një përleshje me thika mes tyre të ndodhur në Tiranë mbrëmjen e 2 shkurtit 2008. Sipas hetimeve, mosmarrëveshja e ka zanafillën në fillim të vitit 2007 kur një çift bashkëshortësh, konkretisht djali i familjes Zaka dhe nusja e tij nga familja Oshafi, patën një keqkuptim mes tyre për shkak se nuk po arrinin të lindnin fëmijë. Kjo situatë nuk zgjati shumë dhe çifti i bashkëshortëve përfundoi në divorc, por historia nuk mbyllet këtu. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, mosmarrëveshjet që sollën përleshjen masive me thika mes dy familjeve, lindën pikërisht pas divorcit të dy bashkëshortëve të cilët bashkë me prindërit e tyre, sipas hetimit, fajësonin njëri-tjetrin për gjithçka kishte ndodhur. Vajza e familjes Oshafi dhe veçanërisht nëna e saj, fajësonte djalin e familjes Zaka për faktin se, gruaja nuk kishte lindur fëmijë. Pas këtyre pretendimeve që duket se kanë vazhduar në kohë, sipas hetimeve, në ditët e para të muajit shkurt 2008, dy familjet patën një përleshje me thika mes tyre çka u bë shkak për pesë të plagosur rëndë, të cilët përfunduan në Spitalin Ushtarak. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, konfirmuan dje se pak ditë më parë, në gjykatë është dorëzuar dosja penale me akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera të cilësuara në bashkëpunim dhe "plagosje e lehtë me dashje në bashkëpunim" për të pandehurit: Armand Zaka, Bledar Zaka, Izmir Zaka dhe Nertil Zaka nga njëra familje dhe Bedrie Oshafi nga familja tjetër. Kjo e fundit, sipas hetimeve është edhe nëna e nuses së divorcuar, e cila sipas hetimeve kishte fajësuar më së shumti ish-dhëndrin e saj për divorcin me vajzën e saj. Sipas hetimeve përleshja me thika ndodhi në ditët e para të shkurtit 2008 në lagjen "Shkozë" të Tiranës, kur djemtë e familjes Zaka po ktheheshin në shtëpi dhe janë përballur në rrugë me anëtarët e familjes Oshafi. Ata filluan një grindje që përfundoi me pesë të plagosur, ndërsa analizat treguan se mosmarrëveshja kishte qenë e kotë, pasi dhëndri sipas rezultateve mjekësore nuk ishte fajtor për moslindjen e fëmijës nga gruaja, me të cilën ishte divorcuar. tr.so

Të pandehurit

Izmir Zaka,
52 vjeç
Nertil Zaka,
20 vjeç
Armand Zaka,
23 vjeç
Bledar Zaka,
24 vjeç

Familja tjetër
Bedrie Oshafi,
52 vjeçe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›