Laçi-Xhani vendosin: Trajner i Partizanit është Nikolin Çoçlli!
Midis presidentit Albert Xhani dhe administratorit Paro Laçi është rënë dakord që ekipi të drejtohet nga Çoçlli, ndaj dhe trajneri grek është larguar
Nga ANDI TANKU
Partizani ka qenë dje në kompleksin stërvitor në Kamëz dhe ka vazhduar stërvitjen, nën drejtimin e trajnerit Nikolin Çoçlli. Mësohet se, pas një marrëveshjeje mes presidentit Xhani dhe administratorit Paro Laçi, është larguar trajneri grek Kozinos dhe lojtarët që ai stërviste prej disa javësh. Mendohet se këta futbollistë që i kishte sjellë presidenti tashmë i konfirmuar i kryeqytetasve, mund të kenë një shans për tu afruar në ekipin e Partizanit, por kjo mund të ndodhë vetëm në muajin janar, kur ata mund ti nënshtohen një prove për tu parë se cili prej tyre mund të jetë i duhur për ekipin. Tashmë drejtimi i ekipit do ti besohet përfundimisht trajnerit Nikoli Çoçlli, i cili ka punuar deri tani me seleksionimet dhe me trajnimin e lojtarëve që janë të konfirmuar si pjesë e kryeqytetasve vitin e ardhshëm. Pra, që nga dje, ka nisur të punohet mbi një Partizan të vetëm dhe për ta rikthyer këtë emër të madh të futbollit tonë atje ku i takon. Por, realizimi i kësaj kërkon mund dhe përforcime, ndaj edhe drejtuesit e skuadrës kanë filluar menjëherë të mendojnë për të mirën e përbashkët të klubit, duke u hedhur në merkato për të transferuar emra cilësorë, të cilët do të japin kontributin e tyre në ngjitjen e Partizanit në Superligë. Nga ajo çka mësohet nga burime të sigurta brenda klubit, duket se të kuqtë janë pranë arritjes së akordit me dy prej ish-futbollistëve të Luftëtarit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Nino dhe sulmuesin Raboshta. Bisedimet me të dy lojtarët kanë nisur dhe pritet që së shpejti ata ti bashkohen ekipit dhe të vihen nën urdhrat e trajnerit Çoçlli. Ndërkohë, mësohet se është arritur marrëveshja për transferimin e ish-kapitenit të të kuqve para dy sezonesh, Indrit Hithit. Mbrojëtsi 22-vjeçar ka rënë dakord me drejtuesit e Partizanit për të qenë pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm. Hithi vitin e kaluar është aktivizuar me Luftëtarin dhe ka dhënë kontributin e tij për ngjitjen e gjirokastriteve në Superligë, ndërkohë që shpreson që këtë gjë ta arrijë edhe me skuadrën e tij të re.
Huazime nga Vllaznia Partizani duket se do të jetë mjaft aktiv në merkaton e transferimeve pasi përvecc blerjeve të disa lojtarëve, tashmë ka filluar tratativat për të huazuar disa elemntë cilësor nga Vllaznia. Bëhet fjalë për Karakaçin dhe Tafën, për të cilët mendohet se është arritur marrëveshja me klubin shkodran dhe të dy këta futbollistë priten ti bashkohen shumë shpejt Partizanit. Gjithashtu të kuqtë kanë shprehur interes për të huazuar nga Vllaznia edhe Hasanin, për të cilin pritet një përgjigje dhe më pas ardhja e tij në kryeqytet.
