Bano: Ruka po përdor administratën publike në fushatë
14/06/2005 Kandidati i PD në zonën 64, Ilir Bano, akuzon rivalin e tij socialist, Et’hem Ruka, se po përdor administratën shtetërore për të bërë fushatë elektorale. Në një deklaratë të shtabit elektoral të kandidatit Bano, thuhet se në riparimin e disa rrugëve në komunën e Fier-Sheganit po përdoren mjetet e ushtrisë, ndërsa drejtuesit e shkollave në këtë komunë po përdorin nxënësit për të mbushur mitingjet e PS-së, apo vendosjen e posterave të kandidatit të saj. “Fushata e PS-së në zonën 64 po shoqërohet me veprime antiligjore, për të cilat janë bërë dhe denoncimet përkatëse. Përfshirja e administratës shtetërore në këtë fushatë, riparimi i disa rrugëve me mjetet e ushtrisë në Komunën e Fier-Sheganit, drejtues të shkollave në këtë komunë dhe atë të Allkaj, në mënyrë të hapur kanë spekuluar me detyrën e tyre, duke përfshirë në këtë fushatë dhe nxënës të sistemit të shkollave të mesme, për të kënaqur interesat e padronëve, apo vendosja e posterave në ambientet shkollore, të cilat kanë qenë rastet më flagrante”, thuhet në deklaratën e shtabit elektoral të kandidatit të PD-së.