E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis hetimi për 62 krerë të njësive vendore

14/06/2005  Celibashi sot paraqet dosjen në prolurori për pengim të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot paradite mbi dërgimin në prokurori të kryetarëve të 62 njësive vendore, të cilët ende nuk kanë dërguar listat e votimit në KQZ. Sipas burimeve zyrtare, deri dje në mesnatë janë paraqitur rreth 326 formularë me kërkesat e KQZ-së. Ndërsa mbeten për t'u konfirmuar dhe 62 njësi të tjera. Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nisjen e punës për shtypjen e fletëve të votimit për njësitë vendore, të cilat kanë dhënë informacionin e kërkuara. Burimet kanë bërë të ditur se vihet re dhe një rritje e numrit të qendrave të votimit, për shkak se numri i votuesve është më i lartë nga mesatarja e kërkuar. Dje, kreu i KQZ ka shprehur shqetësimin e tij për vonesat e paraqitjes së të dhënave, duke i cilësuar zgjedhjet në rrezik. Sipas Kodit Penal, krerët e bashkive dhe të komunave, të cilët nuk paraqesin të dhënat e kërkuara, do të dënohen nga gjobë deri në 7 vjet burg.

Detyrimi

Prej disa muajsh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar krerëve të njësive vendore të paraqesin listat përfundimtare të zgjedhësve, numrin e qendrave të votimit si dhe të dhënat e tjera, që kanë të bëjnë me identifikimin e votuesve. Vetëm pas paraqitjes së këtyre të dhënave, KQZ do të ketë mundësinë të kërkojë përpilimin e listave të votuesve, prej firmës që ka fituar tenderin. Por, duke parë vonesat, si dhe afati që duhet për shtypjen e të gjitha fletëve të votimit, Celibashi është shprehur se procesi është tërësisht në rrezik. Kjo pasi për tri javë zhvillohen zgjedhjet, ndërsa ende kryetarët e njësive vendore nuk kanë paraqitur të dhënat që janë kërkuar prej KQZ-së. Gjithsesi sot Celibashi do të kërkojë penalizimin për njësitë që nuk kanë zbatuar detyrimin që lind nga Kodi Zgjedhor dhe ai Penal.

Vendimi

Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të dhënat e paraqitura prej 100 njësive vendore, duke kërkuar shtypjen e fletëve të votimit për to. Burimet kanë bërë të ditur se firma që do të bëjë fletët e votimit shtyp deri në 400 kopjo në ditë. Ndaj dhe do të duhet një kohë e konsiderueshme për përfundimin e procesit. Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fletët e votimit do të kenë 3 elementë sigurie, dy të dukshëm dhe një të padukshëm. Ndërsa në krah të çdo kandidati do të ketë dhe një shenjë dalluese për personat e verbër. Për këtë kategori do të jepen dhe disa kasetofona, ku do të jepen udhëzimet përkatëse mbi mënyrën e veprimit gjatë shprehjes së të drejtës së votës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›