E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Nano zgjodhi Sarandën për të dalë në pension"

14/06/2005  Berisha prezanton kandidaturat për zonën 31 Bamir Topi, dhe në zonën zonën 42 Ngjelën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar dje ndaj akuzave të Kryeministrit Nano, sipas të cilit kreu i PD-së ka tentuar ta vrasë në vitin 1998. Sipas tij, akuzat e Nanos janë qesharake dhe tregojnë panikun që ka shkaktuar në kampin socialist fitorja e opoztitës. “Ju e dëgjuat kur tha se Berisha donte të më vriste në vitin 1998. Të njëjtat akuza i ka bërë dhe ndaj Meidanit. Më lejoni t'i them o shoku Fatos rrufeja nuk bie atje ku thua ti”, tha Berisha. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e Bamir Topit si kandidat në zonën 31 në Tiranë, Berisha është shprehur se Nano ka zgjedhur të kandidojë në Sarandë, sepse Enver Hoxha i dërgonte në këtë zonë ata që i nxirrte në pension.

Prezantimi

Gjatë takimit me banorët e zonës 31, Berisha premtoi edhe një herë ulje të taksave për biznesin e vogël, si dhe përjashtimin nga taksat dhe tatimet për bizneset e reja për një periudhë trevjeçare. Sipas tij, më 3 korrik, Tirana do të votojë për alternativën e PD-së. “Ne jemi të vendosur për ta shndërruar projektin e ndryshimit në një mbarësi për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do ta pastrojmë këtë vend nga intoleranca, brutaliteti, këto vese trashëgimi të këqia të sistemit të kaluar. Unë shpreh sigurinë që Tirana më 3 korrik do të votojë e gjitha blu, Tirana nuk mund të pajtohet me politikën e zhulit. Një nga aktet e para të qeverisë do të jetë mbrojtja e qytetarëve nga kjo ndotje. Kthesa do të ndihet në 3 muajt e parë. Këta bosat e karburantëve, të degraduar janë shndërruar në trafikantë droge”, tha Berisha.

Zona 42

Pas takimit në zonën 31, kreu i PD-së, Berisha, vazhdoi takimet në zonën 41 të kryeqytetit, ku ka prezantuar kandidatin Spartak Ngjela. Gjatë fjalës së tij, Berisha përsëriti dhe një herë premtimet për uljen e papunësisë dhe ngritjen e rrogës minimale. “Ulja e papunësisë do të jetë qëllimi ynë kryesor në katër vitet e ardhshme. Ne do të dyfishojmë pensionet dhe rrogat e ulëta, ndërkohë që do të ngremë rrogat e mesme”, tha Berisha. Duke kërkuar votën e elektoratit, Berisha ka sulmuar dhe kryesocialistin. “Që Nano do të dalë në pension, kjo është e sigurtë. Atë e përzuri Tepelena dhe si nostaligjik që është ai zgjodhi Sarandën për të dalë në pension, sepse edhe shoku Enver në Sarandë i çonte të gjithë ata që i planifikonte për t'i nxjerrë në pension”, tha Berisha. Takimet e djeshme, Berisha nuk ka preferuar t’i zhvillojë në salla të mbyllura apo në tubime, ai ka ecur rrugëve të zonës, ku ka marrë kontakte të drejtpërdrejta me banorët dhe ka diskutuar për problemet që ata kanë. Një vizitë ai ka kryer dhe në tregun e zonës 31, ku i ka shpjeguar tregtarëve platformën e PD-së mbi politikat e biznesit.

Ulja e papunësisë do të jetë qëllimi ynë kryesor

Do të dyfishojmë pensionet dhe rrogat e ulëta,

Do të ngremë rrogat e mesme

Do ulim taksat 50% për biznesin e vogël

Bizneset e reja do të përjashtohen nga taksat në tre vitet e para

Ulje e çmimit të energjisë elektrike për bizneset

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›