Partitë të paraqesin urgjent anëtarët e Qendrave të Votimit
14/06/2005 Kreu i KQZ-së i ka kërkuar partive politike, që kanë të drejtën e propozimit të anëtarëve në grupet e numërimit të votave dhe në qendrat e votimit, të paraqesin sa më shpejtë emrat e tyre, për të mos lejuar bllokimin e punës. Celibashi ka kërkuar prej PS-së, PD-së, PR-së, PDR-së, PBDNJ dhe PSD-së, paraqitjen e emrave sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që procesi i konstituimit të komisioneve të qendrave të votimit dhe ai i grupeve të numërimit të mos jetë me vonesë si ai i Zonave Zgjedhore dhe ajo që është më e rëndësishme është që ata të marrin pjesë në proceset trajnuese, që do të organizojë KQZ. Po dje përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ferdinand Poni, ka shprehur gatishmërinë e partisë që ai përfaqëson për paraqitjen e emrave të kërkuar. Sipas tij, kjo do të sjellë garantimin e procesit zgjedhor konform standardeve të kërkuara. Të njëjtin angazhim e kanë shprehur dhe përfaqësuesit e Partisë Republikane. Sipas kodit zgjedhor, në Shqipëri do të jenë 100 komisione zonale me 7 anëtarë. Ndërsa çdo KZZ do të ketë në varësi deri në 5 grupe të numërimit të votave, me 5 anëtarë. Do të jenë këto grupe pune që do të verifikojnë votën e zgjedhësve, ndërsa anëtarët e KZZ-së do të jenë në rolin e administruesit dhe të shpalljes së rezultateve. I gjithë procesi do të monitorohet nga mediat, vëzhguesit e partive si dhe monitoruesit e organizatave të huaja dhe atyre shqiptare. Pas kësaj të dhënat do të kalojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.