E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët: Hiqni botet me vajin e rrezikshëm, na rrezikohet jeta

KOSOVE - Banorët e një zone kufitare me Shqipërinë reagojnë ndaj pranisë së 3 boteve me vaj sulfurik pranë shtëpive të tyre. 

Pas bllokimit të mjeteve të mbushura me lëndën e rrezikshme për jetën e njerëzve në rast të temperaturave të larta, ato u dërguan në komunën e Dragashit në Prizren. Me të pikasur strehimin e boteve nga policia e Kosovës banorët kanë reaguar ashpër, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre, pasi nuk duan të jetojnë me frikë. Haki Hasani, përfaqësues i banorëve ka kërkuar në emër të tyre largimin, në të kundërt pohon se vetë ata do t'i ngasin mjetet deri në qytetin e Prizrenit. Me protestën e banorëve është bashkuar dhe kryetari i komunës së Dragashit, (Sharrit), Salim Jonuzi. Sipas tij, kjo zonë njihet për pastërtinë e mjedisit, pasi është e rrethuar nga pyje nuk mund të ndotet nga faktorë të tillë. Botet ruhen nga forca të shumta policie, ndërsa specialistë kanë izoluar rrjedhjet e vajit. Gjatë ditës së djeshme, 6 bote të tjerë u bllokuan në pikën kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës, në Han të Elezit. Ato dyshohet se kanë të njëjtën origjinë si tre botet e para dhe pas përfundimit të analizave pritet të rikthehen në Bullgari. Rreziku i këtij produkti u shfaq pasi dy punonjës të doganës së Vërmicës në Kosovë, shumë pranë asaj të Morinit në Kukës u helmuan nga reaksioni i një sasie vaji të rrjedhur nga një prej boteve. Nga analizat rezultoi se sasia e squfurit në to ishte 23%, nga 2% që është norma e lejuar.                                      j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›