E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 9 makina luksoze të vjedhura

TIRANE - Sekuestrohen nga policia nëntë automjete të markave të shtrenjta prodhime të viteve të fundit, të vjedhura dhe të trafikuara nga Evropa. 

Tetë nga automjetet e bllokuara u sekuestruan nga policia e Qarkut të Fierit, gjatë operacionit të koduar "Pranvera". Mjeti tjetër është bllokuar nga zyra e Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas referimit të policisë, të gjithë automjetet e bllokuara prej saj janë prodhime të viteve të fundit të markave të shtrenjta. Ato janë vjedhur jashtë vendit, kryesisht në Itali e Gjermani. Dy ditë më parë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, publikoi shifrat e automjeteve të identifikuara prej saj si të trafikuara, të cilat ishin zhdoganuar dhe më pas ishin futur në territorin e vendit tonë. Pas publikimit së të dhënave dhe pas dërgimit të tyre Policisë së Shtetit, kjo e fundit nisi menjëherë operacionin për bllokimin e tyre. Ndërkaq, për këtë qëllim sipas burimeve të policisë është kërkuar verifikimi i më tepër se 80 automjeteve, që dyshohet se mund të jenë të trafikuara ose dokumentet e tyre mund të jenë të falsifikuara. Automjeti i markës, "Volkswagen", me targa SH 3239 D, në pronësi të Lulëzim Gjokës, i është bllokuar Gentian Xhemalit, banues në Fier. Ky mjet sipas policisë, është vjedhur në Serbi rreth dy vite më parë. Mjeti i markës "Mercedez-Benz", me targa, CT 607 LN, i është gjetur Doloreza Hykajt, në Fier, ndërsa mjeti sipas policisë është vjedhur në Itali, disa muaj më parë. Sekuestro është vendosur edhe për mjetin BMW X5, në pronësi të Arbër Shtyllës, që përdorej nga Vladimir Sauli, gjithashtu i vjedhur në Itali. Në total sipas burimeve të policisë janë bllokuar, katër automjete të markës "BMW, tre automjete "Mercedez Benz", një "Jaguar" dhe një "Jeep", "Grand Cheeroke", që është bllokuar dje nga policia e kryeqytetit. Pronarët e mjeteve, janë dërguar nga policia për ndjekje penale në gjendje të lirë, për "trafikim të mjeteve motorike", apo falsifikim të tyre. Hetimi duhet të përcaktojë edhe shkallën e implikimit të secilit prej tyre apo shitësve të mjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›