E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërpudhat helmojnë tre fëmijë

Kërpudhat rrezikojnë jetën e tre fëmijëve nga e njëjta familje në Visokë të rrethit të Mallakastrës. 

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

Pasditen e djeshme vogëlushët janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Fierit nën alarmimin e nënës së tyre. Fëmijët i kishin ngrënë kërpudhat në çastin e kthimit nga shkolla për të dhënë shenjat e helmimit brenda një kohe të shkurtër. Sipas dëshmive të të afërmve të fëmijëve, dy të mëdhenjtë, Xhoana Çiloti, 11 vjeçe dhe i vëllai 8-vjeçar Kleo po ktheheshin nga shkolla kur kanë hasur në një shitës ambulant, i cili tregtonte kërpudha, luleshtrydhe e fruta të tjera të prodhuara nga fermerët vendas. Kureshtja dhe uria në orët e drekës i ka shtyrë vëlla e motër nga Visoka të blejnë e të provojnë disa kërpudha. Por, menjëherë pas ngrënies kanë ndjerë dhimbje të forta barku dhe të vjella. "Fëmijët ishin shëndoshë e mirë kur ikën për në shkollë. Siç tregojnë disa shokë të tyre ata kishin blerë disa kërpudha dhe luleshtrydhe te një shitës me biçikletë, rrugës duke u kthyer për në shtëpi. Në fillim ka ngrënë Xhoana, vëllai i saj e më pas, kur kanë arritur në shtëpi i kanë dhënë vajzës së vogël 4-vjeçare, Bionses. Organizmi i dobët i kësaj të fundit ka reaguar i pari kundrejt kërpudhës helmuese", tregojnë familjarët. Menjëherë sapo është vënë re gjendja e fëmijëve dhe simptomat, të afërm të tyre i kanë dërguar urgjent për në spitalin rajonal të qytetit të Fierit. Mjekët e këtij spitali pasi kanë parë shenjat e fëmijëve kanë deklaruar se ata janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar. "Fillimisht u mendua se ata kishin ngrënë bathë, por më vonë një prej fëmijëve tregoi se kishin konsumuar disa kërpudha që i kishin blerë duke u kthyer nga shkolla. Duke parë gjendjen e rënduar i kemi dërguar për në spitalin e kryeqytetit për analiza më të qarta dhe mjekim më të specializuar nga ku mësohet se janë mirë", thanë mjekët të cilët dhanë ndihmën e parë duke i shpëtuar fëmijët nga rreziku për jetën. Në zonën e Mallakastrës, ku ndodhi ngjarja, tregtimi i kërpudhave dhe bimëve të tjera që rriten në zonën e pyllëzuar është një biznes që lëvrohet ndjeshëm, sidomos në stinën e verës. Këtë herë pasojat e një shitje të pakontrolluar i kanë pësuar tre vogëlushët e pafajshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›