E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, Agim Shehu: Bizhga në Sarandë se e kërcënonin, nuk e nisa unë

Ish-ministri i Brendshëm dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë në kohërat e trazirave, Agim Shehu, dëshmoi te Krimet e Rënda me detaje për gati gjysmë ore rreth dijenisë së tij mbi masakrën e Qafë-Gjashtës, bisedën telefonike me ish-kreun e Krimeve të Vlorës, Sokol Bizhga, arsyet e vajtjes së këtij të fundit në qytetin bregdetar të Sarandës, si dhe nëse kishte dhënë urdhër apo jo për ringritjen e komisariatit të këtij qyteti. Dëshmitari Shehu hodhi poshtë deklarimin e Bizhgës se ishte urdhëruar nga ai për të shkuar në Sarandë për ringritjen e komisariatit. Sipas Shehut, Bizhga kërkoi leje të shkonte në Sarandë te njerëzit e tij, pasi ndihej i kërcënuar në Vlorë dhe meqë po shkonte, iu sugjerua që të përpiqej nëse mund të ringrinte sërish komisariatin e Sarandës. “Në vitin 1997 kam qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendësministër i Brendshëm. Ngjarja ka ndodhur në fillim të muajit mars të vitit ‘97 dhe shefi i Policisë Kriminale të Vlorës, Sokol Bizhga, së bashku me Gjergj Mehmetin janë ndodhur në Sarandë. Duke qenë se shefi i komisariatit të Vlorës mungonte, Sokol Bizhga për shkak të rrezikshmërisë që i kanosej në Vlorë, më kërkoi leje për t’u larguar në Sarandë, ku kishte edhe disa të afërm të tij. Unë i dhashë leje dhe meqë po shkonte në Sarandë, i kërkova që të njihej me gjendjen atje dhe të punonte për riorganizimin e komisariatin të Sarandës, i cili ishte jofunksional”, - rrëfeu dje në sallën e gjyqit ish-kreu i policisë dhe numri dy i Ministrisë së Brendshme. “Kur arritën në Sarandë, Bizhga më telefonoi dhe më tregoi për gjendjen në komisariat dhe në bazën detare të Sarandës. Në përfundim, Bizhga më tha se ishte e pamundur të organizohej komisariati për shkak të zhvillimeve që kishin ndodhur atje, dhe unë e lashë të zgjidhte nëse do të qëndronte në Sarandë në baza të sigurta apo do të kthehej në Vlorë. Madje i rekomandova edhe vendet se ku mund të qëndronte në Sarandë dhe të ishte i sigurt”, - vijoi dëshminë z. Shehu.

Ngjarja

Ish-gjenerali dha detaje edhe mbi mënyrën se si mësoi për ngjarjen e masakrës së Qafë-Gjashtës dhe mbi kontaktet e mëtejshme me Sokol Bizhgën. “Nuk pata më kontakte me të, por vonë pasdite nga burime jopolicore mora vesh se në Qafë-Gjashtë ishte vrarë një person dhe mendohej se iu përkiste institucioneve të sigurisë publike, pra mund të ishte i SHIK-ut ose i policisë. Por, nuk dihej se kush ishte. Tentuam të ndërhynim për të marrë vesh por nuk funksionoi, sepse nuk mund të shkonte dot njeri, pasi rruga ishte e bllokuar nga njerëz të armatosur. Vonë mësuam se çfarë kishte ndodhur, kur shefi i policisë së Gjirokastrës kishte shkuar në Gjirokastër. Ai i kishte shpëtuar një prite në Qafë-Gjashtë dhe personi i vrarë ishte Gjergj Mehmeti. Komunikova me shefin e policisë në Gjirokastër dhe i thashë që të gjenin Bizhgën dhe ta ndihmonte për të ardhur në Tiranë. Kur Bizhga u kthye në Tiranë, kërkova hapjen e një dosjeje hetimore. Bizhga dha një dëshmi gojore dhe tha se u godit për shkak të detyrës, dhe se nuk ka pasur konflikt me asnjë person në Sarandë. Ditën e ngjarjes kam komunikuar me Bizhgën rreth orës 11 të paradites, ndërsa informacioni i saktë për ngjarjen është marrë të nesërmen dhe jo atë ditë. Bizhga e ka treguar ngjarjen shkurtimisht para meje dhe kolegëve të mi. Ai ka thënë: “Pasi nuk bëmë dot riorganizimin e komisariatit të Sarandës, u detyruam që të ktheheshim në Vlorë. Në Qafë-Gjashtë, afër një centrali na dolën përpara në pritje njerëz të armatosur, të cilët hapën zjarr duke e ditur që ne ishim oficerë policie. Vetë Bizhga iu kishte komunikuar që ishte shef i Policisë Kriminale të Vlorës dhe që nuk kishte asgjë me ata. Por, këta persona kanë hapur menjëherë zjarr dhe Bizhga është plagosur në këmbë, ndërsa të tjerët që ishin në makinë janë shpërndarë në drejtime të paditura. Bizhga nuk më ka thënë gjë për emrat e autorëve të ngjarjes, ndërsa ato që mësuam më vonë për ngjarjen janë hedhur në një fletë të bardhë, që i ka shërbyer procesit deri tani. Unë kam qenë me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe në atë kohë kam urdhëruar Policinë Kriminale që të hapte një dosje hetimore për masakrën e Qafë-Gjashtës, por nuk ishte detyra ime që të kontrolloja dhe të ndiqja vijueshmërinë e saj”, - është shprehur para togave të zeza ish-gjenerali, madje duke iu përgjigjur edhe disa pyetjeve të drejtuara nga prokurori dhe avokatët. Më tej në dëshminë e tij, Agim Shehu deklaroi se “në rrugën e vajtjes së tyre për në Sarandë nuk kam pasur informacione se janë penguar nga njerëz të armatosur, pra gjatë bisedës në telefon me Bizhgën, nuk më është raportuar një fakt i tillë. Për sa i përket faktit nëse kanë qenë të veshur me uniformë apo civilë kur kanë shkuar për në Sarandë, dua të them se shefi i Policisë Kriminale, pra Bizhga, nuk mban uniformë. Vendimi, të kthehej në Vlorë apo të qëndronte në Sarandë, i përkiste vetë Sokol Bizhgës dhe ai vendosi që të kthehej për të mos lënë vetëm kolegët që e shoqëruan, edhe pasi pa se mjedisi në Sarandë ishte i papërshtatshëm”. Dëshmitari Shehu theksoi edhe njëherë para gjykatës se Bizhga ishte shef i Policisë Kriminale të Vlorës dhe u largua në Sarandë, pasi i rrezikohej jeta në Vlorë. Sipas Agim Shehut, detyra për të marrë në dorë komisariatin e Sarandës iu dha prej tij, pasi shefi i Policisë Kriminale kërkoi leje për të shkuar në Sarandë me dëshirën e tij, sepse i kërcënohej jeta.

Somario

“Detyra për të marrë në dorë komisariatin e Sarandës iu dha prej meje Sokol Bizhgës, pasi shefi i Policisë Kriminale kërkoi leje për të shkuar në Sarandë me dëshirën e tij, sepse i kërcënohej jeta”, - deklaroi Agim Shehu

Dëshmia

Flamur Mehmeti: Akuzova Xhevat Koçinë për vrasjen e vëllait

“Akuzova Xhevat Koçinë për vrasjen e vëllait tim”. Kjo ka qenë deklarata e vëllait të policit të vrarë e djegur në masakrën e Qafë-Gjashtës, ngjarje e ndodhur më 4 mars të vitit 1997. Flamur Mehmeti, vëllai i Gjergj Mehmetit, rrëfeu para togave të zeza me detaje rreth mënyrës se si mësoi mbi vrasjen e vëllait, marrjen e trupit në tij në momentin që ka qenë duke u varrosur në Sarandë, kontaktet e tij me disa persona në qytetin bregdetar dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj ish-kreut të Komitetit të Shpëtimit Qytetar. “Vrasjen e vëllait e mësova nga televizioni dhe jam nisur drejt Sarandës për të marrë trupin e tij. Nga taksisti mësova se një natë para ngjarjes ishte vrarë një djalë me motor dhe për këtë akuzohej vëllai im, Gjergji”, - ka dëshmuar Flamur Mehmeti. Më tej në dëshminë e tij ai shtoi se ka mbërritur në qytetin bregdetar në momentin që trupi i pajetë i Gjergjit do të varrosej në varrezat e qytetit të Sarandës. “Takova Xhevat Koçinë kur mbërrita në Sarandë dhe e pyeta për trupin e vëllait. Ai më tha se trupin i tij e kishin nisur për në varrezat e qytetit të Sarandës. Shkova dhe mora trupin e djegur të vëllait dhe e çova në morg”, - vijoi dëshminë vëllai i policit të masakruar. Aty ka parë që në trup vëllai kishte shumë dëmtime të rënda dhe ishte i djegur, kishte shenja të goditjes me plumba dhe dëmtime të tjera. “E takova sërish Xhevat Koçinë dhe e akuzova për vrasjen e vëllait tim. I thashë: Ti ma vrave vëllanë. Nuk më kthehu përgjigje”, - dëshmoi Mehmeti lidhur me momentin e marrjes së trupit të vëllait të vrarë. Më tej, dëshmitari ka treguar se nga një shitës në një dyqan lulesh dhe arkivolesh ka marrë vesh se ky ditën e ngjarjes kishte parë Gjergj Mehmetin dhe tre persona të tjerë, duke ngrënë drekë në Butrint dhe ishin kthyer. Edhe nga ky shitës, Flamur Mehmeti kishte mësuar se një natë para ngjarjes ishte vrarë ai djali me motor. Ndërsa lidhur me faktin nëse kishte pasur apo jo kontakte me Eduard Aliajn apo Sokol Bizhgën pas ngjarjes, Flamur Mehmeti deklaroi se nuk ka arritur të ketë kontakte me Eduard Aliajn, pasi në spital kishte persona të armatosur dhe nuk mund të hynte në dhomën ku mbahej. Gjithashtu, ai deklaroi se as me Sokol Bizhgën s’ka folur dot pas ngjarjes dhe se nuk e dinte se kush janë autorët e vrasjes së vëllait.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›