Banorët: Jemi mes katër rrugëve, po mbulohemi me plastmas
Dhjetëra familje vetëm në Gjoricë ndodhen në qiell të hapur pasi banesat e tyre ose janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht nga lëkundjet sizmike. Dje para Komunës së Gjoricës janë drejtuar dhjetëra kryefamiljarë që presin për tu pajisur me çadra, për të akomoduar më pas familjen. “Jemi në pritje të një çadre. Kemi fjetur jashtë, nuk guxojmë të hymë brenda”, -shprehej dy ditë më parë një banor. Banori shton se edhe pse pret në radhë, nuk ka besim se do ta marrë një të tillë. “Fëmija në shi, moti u ftoh ndërsa qeveria ka dërguar vetëm 20 çadra. Janë të pamjaftueshme, sa janë këtu në radhë, ku di unë nëse e marr një apo jo”, -tha banori i Gjoricës dy ditë më parë për mediat. Një tjetër familje 7 anëtarëshe shprehet gjithashtu se nuk është pajisur me çadër dhe se nuk di sesi mund të shkojë fati i tyre tani që i goditi fatkeqësia natyrore. Banorët theksojnë se nuk kanë fuqi të marrin strehë me qira, pasi nuk kanë kushtet e nevojshme ekonomike. Ata i bëjnë thirrje kryeministrit të marrë masa dhe tu vijë në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti. Banorët e Shupenzës dhe fshatrave të tjera në qarkun e Dibrës të prekura nga tërmeti i mbrëmjes të së dielës shprehen kanë kaluar tri netë jashtë pasi banesat e tyre janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht nga tërmeti. Ndërkohë lëkundje të tjera tërmeti vazhdojnë të tronditin zonën. Disa familje që u është dëmtuar banesa pjesërisht u shprehën se bashkë më fëmijët e vegjël kane kaluar natën jashtë në kushte të vështira. “Shiu bie, ne fjetëm ca në makinë, disa poshtë plastmasëve. Por kemi frikë të hyjmë brenda në shtëpi. Lëkundje tërmeti vazhdojnë të ndjehen ende në zonë. Jemi të frikësuar”, shprehen banorët.
10 Shtator 2009