Emergjenca e tërmetit, qeveria nuk gjen dot strehim për të gjithë
Tiranë - Vetëm 120 çadra janë shpërndarë në tre ditë në zonën përreth Peshkopisë ku tërmeti i së dielës shkaktoi dëme të mëdha në qindra shtëpi. Drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli deklaroi për mediat se gjatë do të ngrihen tre kampe me çadra për të pastrehët e tërmetit në Dibër. Lidhur me banorët që kanë kaluar natën jashtë, Drejtori i Emergjencave Civile Olli sqaroi se ndihmat shkojnë në favor të atyre që u janë shkatërruar shtëpitë, ndërsa nuk ka ende një plan për ata që kanë dëmtime të pjesshme. Për banorët që u janë shkatërruar banesat, Olli tha se tre kampingjet do të ngrihen në tre komuna. Ai tha se deri më tani janë shpërndarë 120 çadra ndërsa po vijon puna për të shpërndarë edhe çadra të tjera. Duke siguruar se do të mbyllet problemi i strehimit, Olli shtoi se tre helikopterë po shpërndajnë ndihma ushqimore gjatë ditës së djeshme. Grupet e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencës Civile paraditen e së hënës nisën shpërndarjen e ndihmave materiale, veshje e çadra, por edhe ushqime për banorët e dëmtuar nga tërmeti i fortë që ra natën e kaluar në qarkun e Dibrës.
Ndërhyrja
Ndihmat e para që u transportuan me helikopter kanë mbërritur në Gjoricë. Ndihmat konsistonin në ushqime dhe veshje, por janë vërejtur mangësi të theksuara në pajisjen me çadra të banorëve që ngelën të pastrehë. Situata e krijuar në këtë zonë në verilindje të vendit po ndiqet nga afër nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, së bashku me drejtues të lartë të këtij dikasteri. Poni ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës Civile të hënën në Dibër, ku mësohet se u vendos mbi planin e punës për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, dhënien e ndihmës për banorët e dëmtuar, mirëfunksionimin e strukturave shtetërore si spitalet, policia, ndërmarrjen e rrugëve, entin e elektrikut etj. Ndërsa janë lënë porosi për kryetarët e komunave për të raportuar mbi situatën e verifikuar në terren. Poni bëri të ditur se grupet e punës po punojnë në komunat e Gjoricës dhe Shupenzës, duke shpërndarë ndihma me helikopter për banorët e dëmtuar. Ai rikonfirmoi dhe një herë se nga tërmeti nuk ka pasur të lënduar në njerëz, përjashto tre raste të lehta, kur tre personave iu është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Dibrës, dhe më pas janë larguar në shtëpitë e tyre. Poni theksoi dhe angazhimin e madh të të gjitha institucioneve në përballimin e situatës pas tërmetit të fortë me epiqendër në Gjoricë të rrethit të Dibrës, por që u ndje edhe në disa zona të Shqipërisë.
Tronditja
Tërmeti që goditi vendin, me epiqendër rrethin e Dibrës ka vazhduar të shënojë lëkundje edhe gjatë orëve të natës, arsye kjo për të cilën banorët e komunave të goditura më tepër janë ndjerë të pasigurt dhe kanë vendosur ta kalojnë të tretën natë në qiell të hapur. Sipas të dhënave paraprake të sizmiologëve, lëkundje të tjera tërmeti vazhdojnë të trondisin zonën e prekur më shumë prej tij, si komunat Gjoricë apo Shupenzë të rrethit të Dibrës. Instituti Sizmologjik informoi se lëkundjet e tërmetit kanë vazhduar deri ditën e hënë pas mesnate në qarkun e Dibrës, ndonëse me një forcë shumë herë më të vogël. Ekspertët thanë se epiqendra ka qenë sërish fshati Gjoricë. Ekspertët sizmologë të Institutit shkencor paralajmërojnë se lëkundjet do të vazhdojnë, por do të jenë të lehta deri në çlirimin e energjisë. Dhjetëra familje në komunën e Gjoricës dhe Shupenzës e Ostrenit kanë qëndruar në qiell të hapur pasi banesat e tyre ose janë shembur tërësisht, ose janë dëmtuar deri në nivelin për të qenë të rrezikshme për të banuar brenda. Prefekti i qarkut Dibër, Xhaferr Seiti, konfirmoi dy ditë më parë për mediat ngritjen e komisioneve për dëmet nga tërmeti.
10 Shtator 2009