E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Mund të kishim fituar ndaj Danimarkës

 

Leonard Karaj

Ishte një Shqipëri tjetër ajo që u pa në pjesën e dytë ndaj Danimarkës. Kjo është vërtetuar më së miri edhe nga fjalët e trajnerit të Kombëtares sonë Josip Kuzhe në përfundim të takimit.Ai u kishte kërkuar futbollistëve të tij që të sulmonin në çdo sektor të fushës, pasi vetëm në atë mënyrë do të mund të mbanin larg danezët. "Çfarë u thashë në pushim të ndeshjes lojtarëve?, U lashë të kuptohej se vetëm nëse do të sulmonin në çdo cep të fushës mund të ndryshonim rezultatin e takimit. Pashë që në pjesën e parë ne luajtëm mirë por kishim një farë frike kur ata na sulmonin ndaj në pjesën e dytë tentova me të gjitha mënyrat për të barazuar dhe fituar takimin. Më besoni unë mendova ta fitoj këtë ndeshje. Madje kur fillova të bëj zevëndësimin e dytë u thashë lojtarëve që të ngrinin më shumë mbrojtjen me qëllim që t’i prisnim kundërshtarët në mesin e fushë. E dija që ata do të na sulmonin pasi do të kërkonin golin e fitores ndaj edhe kërkova më shumë këmbë të freskëta dhe muskuj. Jam i kënaqur me rezultatin e takimit edhe pse besoj se realisht mund të kishim marrë tri pikë të plota", ka pohuar Kuzhe.
Bogdani
Ndërsa Erjon Bogdani ka bërë një dedikim të veçantë kur ka pohuar se golin ai kushtonte tifozëve të Partizanit. "Ishte një ndeshje mjaft e vështirë por që ne mundëm të merrnim një pikë përballë një skuadre shumë të fortë. Kombëtarja ka ndryshuar shumë me ardhjen e Kuzhesë dhe kjo shihet qartazi edhe në lojën e saj. Jam i kënaqur për golin e shënuar të cilin ia dedikoj të gjithë tifozëve të Partizanit", ka pohuar Bogdani, i cili e ka nisur karrierën e tij pikërisht tek kjo skuadër.
Olsen
Ndërsa trajneri i Danimarkës ka kritikuar lojën e skuadrës së tij, por pa i hequr edhe meritat kuqezinjve. "Ishte një ndeshje e vështirë, tamam siç e kisha parashikuar. Mendoj se bëmë një pjesë të parë të mirë por lëshuam shumë në të dytën, kjo për fajin tonë. Gjithsesi do të kualifikohemi në ndeshjen e fundit në fushën tonë", ka pohuar Olsen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›