E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: U bë një realitet ëndrra amerikane

"Sot, bota është ndryshe, sepse ndryshe është vendi lider i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky ndryshim vjen jo vetëm për ndryshimin e pushtetit". Ky ishte vlerësimi i djeshëm i bërë nga Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Sipas tij, qytetarët e Shteteve të Bashkuara, pas një fushate 21-mujore, votuan kandidatin që i dhuroi këtij vendi të madh fushatën më të bukur dhe më shpresë ndjellëse në tërë historinë e Shteteve të Bashkuara. Berisha tha se kurrë në histori ky vend dhe bota e lirë nuk kanë qenë më të drejtë se sot. "Kombi i lirisë zgjedh për president një personalitet që i përket pakicës me origjinë afroamerikane në këtë vend të madh, por që ka derdhur lumenj djerse për ndërtimin dhe lirinë e tij dhe të botës", shtoi Berisha. Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, vijoi ai, shënoi fitoren më të thellë në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe zgjedhja e tij e ka bërë këtë vend të madh më të bashkuar se kurrë. "Zgjedhja e Presidentit Obama është realizimi dhe shndërrimi më madhor në realitet i ëndrrës amerikane", insistoi Berisha. Kjo, vlerësoi ai, dëshmon se në këtë vend mundësia, shansi për t‘u bërë president, nuk përcaktohet nga prejardhja, raca, ngjyra dhe faktorë të tjerë, por përcaktohet nga parimet që mbron, mesazhet që jep, fuqinë, forcën për të pushtuar mendjen dhe zemrën e qytetarëve amerikanë, qofshin ata anglosaksonë me origjinë, afroamerikanë, hispanikë, aziatikë apo të çdo prejardhjeje. Berisha shprehu bindjen se te Presidenti Obama, zëvendëspresidenti Joe Biden dhe administrata e re, shqiptarët do të kenë miqtë më të shquar dhe se bashkëpunimi i shkëlqyer miqësor midis dy vendeve do të njohë dimensione të reja edhe më të mëdha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›