Rama: Rezultati, fitoi një gjeneratë e re
Kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, konstatoi dje se zgjedhjet në SHBA ishin fitore për një gjeneratë të re. "Fitorja e shpresës dhe e ëndrrës, sikundër ishte dhe lajtmotivi i një fushate të ndërtuar mbi bindjen se shpresa duhet të triumfojë mbi frikën dhe ëndrra e të ardhmes mbi zhgjëndrrën e së kaluarës, e cila dominonte të tashmen", tha Rama. Sipas tij, ky është shembulli më spektakolar i politikës së re dhe i kapërcimit të kufijve mes të majtës dhe të djathtës, i një politike të qytetarëve, i alternative të politikës së politikanëve. Rama shprehu besim të plotë se bota është gdhirë me një frymëmarrje të re, një frymëmarrje të cilën e ndien pa asnjë dyshim edhe Shqipëria, e ndiejnë qytetaret e qytetarët shqiptarë. "Nuk ka ndryshuar asgjë, sepse marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë të shkëlqyera dhe të pavarura nga personaliteti i presidentëve amerikanë apo përkatësia e tyre partiake", u konstatoi Rama. Por, shtoi ai, në anën tjetër, dua të nënvizoj se zgjedhja e popullit amerikan është një zgjedhje e qartë mes të ardhmes dhe së shkuarës. "Është një zgjedhje e qartë për një politikë të re, e cila thyen tabu, kapërcen kufij, zmbraps paragjykime dhe vendos një horizont të ri jo vetëm për SHBA, por për botën", nënvizoi Rama. Kreu socialist shprehu bindjen se fryma e re që sjell Barak Obama do të injektojë pa asnjë dyshim një energji të re edhe në shoqërinë tonë, dhe do të ndikojë pa asnjë dyshim edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Rama këmbënguli se nuk ka asnjë ndryshim të rëndësishëm, pasi jo vetëm Partia Socialiste, por edhe të gjitha qeveritë e Shqipërisë të sotme, të djeshme apo të nesërme, janë pazgjidhmërisht të lidhura me domosdoshmërinë për ta forcuar marrëdhënien e miqësisë dhe të bashkëpunimit me SHBA-të.