E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur e Majta nuk e kupton akoma se ka humbur

Nga Pirro PRIFTI*
Thirrjet  revolucionare se do ta mbrojmë votën me gjak, se do të dalim në rrugë për të mbrojtur votën tonë e të tjera dokrra si kjo, nuk mallëngjejnë më njeri sot më 2009 kur BE mirëpret Shqipërinë si një shtet normal e cila ka zhvilluar zgjedhje nga më të qetat që prej 31 marsit 1991 për tu integruar sa më shpejt që të jetë e mundur. PS akoma nuk po e kupton që zgjedhjet janë të humbura edhe sikur të fitojnë mandatin e nëntë në Fier, kështu që e vetmja mundësi për të është të pranojë humbjen e paralajmëruar me kohë nga si nga ana ime ashtu dhe nga analistë e njerëz që kanë akoma mënd në kokë dhe që i shohin më gjakftohtësi gjërat. Nuk mundej PS dhe lidershipi i përçarë i së majtës të fitonte zgjedhjet sepse, ndonëse elektorati i majtë voton për disa parti të majta të cilat nuk arritën të bashkohen në një koalicion të përbashkët para-elektoral, ky elektorat gjithashtu ndonëse është në fakt më i shumtë në numër, akoma e ka të vështirë të fitojë zgjedhjet: si në 2005, ashtu dhe në 2009 për arsye të përçarjes së thellë që ekziston në lidershipin e së majtës. Lidershipi i së Majtës (për të cilën kam folur disa javë përpara zgjedhjeve e deri tre ditë para se të zhvilloheshin ato) e sidomos ai i Koalicionit Bashkimi për Ndryshim, është një nga lidershipet më refraktarë e më kokëfortë, e për pasojë nga më konservatorët që ka qenë ndonjëherë në të majtën shqiptare: dhe kjo ka një shkak. Shkaku është se ky lidership është i ardhur dhe i komanduar në drejtimin e së majtës direkt nga Byroja Politike e PPSH së atëhershme me një mision të vetëm: ...të vonojë demokracinë dhe ta mbajë atë në tranzicion sa më gjatë të jetë e mundur.
Arsyeja është se udhëheqësit e atëhershëm shpresonin që të qëndron në pushtet me ato privilegje që kishin edhe në kohën e post komunizmit, gjë që u realizua pjesërisht me marrjen e drejtimit të PS dhe të disa partive të vogla të majta. Kjo ka shkaktuar që gjithmonë e majta e pikërisht elektorati i majtë, ka qenë tradhtuar gjithmonë nga lidershipi i saj sepse ky lidership sapo rimori pushtetin në kohën e demokracisë gjënë e parë që bëri ri vendosi njerëzit e dikurshëm apo të afërmit e tyre dhe servilët që gëlonin përreth, në drejtimin politik të partive por dhe në drejtimin e pushteteve të tjera sa herë që u ra në dorë pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe ai gjyqësor; por të mos harrojmë që këta liderë të së kaluarës të veshur me kostume perëndimore kapitaliste mbajtën nën kontroll (dhe atëherë kur nuk e kishin nën kontroll, krijuan të reja) median gazetat dhe televizionet.
Po të shohësh me kujdes analistët dhe opinionistët, shumë prej tyre kanë patur dhe kanë lidhje me të kaluarën ose janë farefis me ish-nomenklaturën e kuqe: e kuptohet  se si këta individë mundohen të artikulojnë e të gjarpërojnë fjalën, për t`i dhënë të drejtë PS dhe satelitëve të tyre në sy të elektoratit të majtë që i sheh me gojë hapur e i trullosur nga propaganda e djallëzuar që rrjedh nga goja e tyre. Po të shikosh me kujdes se cilat janë arsyet e humbjes, ato i kemi thënë dhe stërthënë në shkrimet e mëparshme por mund të vihet re gjithashtu dhe një fakt i ri domethënës që tregon edhe njëherë sesa të papërgjegjshëm dhe hakmarrës janë këta individë kur vjen fjala për tu hakmarrë me partitë e vogla kur shikon tashmë sesi funksionoi Kodi i ri zgjedhur në dëm të Partive të vogla e kryesisht kundër LSI si forca e tretë. Në këtë rast bëhet fjalë për arkitektin e këtij Kodi z. Kastriot Islami, I cili për të dytën herë po dështon në zgjedhjet e veta (sigurisht me bekimin e KPD së skandaleve socialiste): herën e parë dështoi me sistemin e Dushkut të famshëm në 2005 kur PD dhe koalicioni i saj ia hodhi dhe përfitoi pikërisht aty kur mendohej se matematicieni i PSD dhe fizikanti i PS me atë Kod të atëhershëm mendonin të dërmonin PD, por harruan se shkaku i humbjes ishte i dyfishtë. I dyfishtë sepse PS ishte e ndarë në dy pjesë, në PS dhe LSI tashmë, por dhe se PD e njihte dhe kontrolloi mirë atë formulë të Dushkut, dhe arriti të fitonte gjithashtu edhe për shkak se kishte një arsye të fortë që të fitonte: korrupsionin galopant në të cilin ishin përfshirë pothuajse të tërë KPD-arët e PS që ishin gjithashtu dhe drejtues të ekzekutivit.
Në zgjedhjet e 28 qershorit shkaqet janë të njëjta dhe PS,  megjithëse përfitoi nga zemërgjerësia e Koalicionit të qendrës së djathtë i cili ja la në dorë po këtij Kastrioti (pra PS, por çuditërisht me në krye K. Islamin) që të zgjidhte llojin e Kodit. Shkaku ishte tashmë që PS duhej të zgjidhte një kod që të shkatërronte LSI dhe ndonjë Parti të vogël të majtë (e të djathtë). E zgjodhi. Shkatërroi partitë e koalicionit të saj dhe uli ndjeshëm përqindjen e LSI, por harroi se shkaku i humbjes ishte po ai: përçarja e të majtës.
Përçarja do të sillte pakësim votash të paevitueshëm të së majtës aq sa do t`i jepte mundësi që Koalicioni Aleanca për Ndryshim të fitonte pa diskutim. Megjithatë Lidershipi konservator e i papërgjegjshëm i së majtës, i mikluar nga servilët që i ngrinin në qiell me lëvdatat e tyre, e që jepnin informacion të rremë për gjendjen reale, i fiksuar pas shkatërrimit të kundërshtarëve të tyre po të majtë, i verbuar nga media lavdëruese e së majtës dhe nga parullat, posterat, fotot e tyre, nuk deshi të kuptojë që po të mos bashkohej të krijonte koalicion para-zgjedhor të gjerë të së majtës, do t`i humbiste  zgjedhjet. Paralajmërimet për humbjen që do të ndodhte ishin të qarta: me analiza të sakta, me përgjegjësit përkatës që po u shkaktonin humbjen, me përcaktimin që mediat dhe gazetat dhe individët që punonin me to po i dezinformonin për realitetin, dhe me mënyrat që mund të dilej nga kjo gjendje.
Lidershipi i së Majtës nuk deshte të kuptonte një realitet të hidhur që kur çahet një e tërë copat do të hanin brumin e njëra tjetrës-pra votat do të përgjysmoheshin, sepse asnjë parti e majtë nuk mund t`i merrte të djathtës vota porse do t`i merrtë elektoratit të majtë -kazanit të përbashkët të së majtës. Si përfundim ndodhi ajo që paralajmëruam.
E keqja nuk po përfundon me kaq, sepse Lidershipi i së Majtës tani po përpiqet të mbajë me kokëfortësi postet drejtuese në Parti. Është po ai Lidership që i çoi në humbje në 2005 (sepse Nano të paktën dha dorëheqjen, si qytetar që ishte). Janë po ato njerëz që Ramiz Alia i thirri për të bërë kalimin e djallëzuar për në demokraci që i shkaktuan humbjen, janë po ata njerëz që dezinformojnë elektoratin e majtë, janë po ata individë që kur marrin pushtetin e përdorin atë për të bërë biznes e fusin në drejtim duke shitur postet e ekzekutivit, të legjislativit, etj, et,. i bëjnë të gjitha. Por elektorati i majtë shpreson dhe i voton po këta fosile të së kaluarës, po këta njerëz  bosh, që sa herë i shohin na kujtojnë të kaluarën e hidhur të diktaturës. Ç`të bësh? Ç' duhet bërë? Kryesorja është të vëmë gishtin mbi plagë ashtu si Shën Thomai bëri. Pastaj vjen shërimi, vjen reformimi, vjen e ardhmja.
PS me aleatët e saj drejtohen nga njerëz të së kaluarës që nuk e kanë për gjë t`i bëjnë thirrje popullit të dalë në rrugë, t`i bëjë thirrje popullit që do ta mbrojmë votën me gjak, ti bëjnë thirrje elektoratit të majtë që të shporrim Berishën, në një kohë që ishin po ata që e ricikluan atë në 1997 sepse e dinin që nuk ishte vetëm faji i tij për ngjarjet që ndodhën.
Këta individë o elektorat i nderuar i majtë vjen kështu që tu thonë juve që ne fituam por Saliu na vodhi votën, prandaj nuk largohemi nga drejtimi i së majtës. Mos u besoni vëllezër e motra. Largojini këta mjeshtra të intrigave e të manipulimeve. Nuk e meritojnë të rrinë më aty. Largojini me votën tuaj partiake në kongres. Rëndësi sot ka që Shqipëria të jetë e stabilizuar. Rëndësi ka që Koalicioni Bashkimi për Ndryshim të pranojë humbjen e t`i japë dorën kundërshtarit sepse edhe sikur ta fitojë atë mandat nuk mund të fitojë zgjedhjet. Atëherë përse zgjatet? Ju a them unë. Lidershipi konservator i së majtës kërkon alibi për të qëndruar përsëri në drejtimin e të majtës. Turp, turp. Shqipëria ka nevojë të ecë përpara e të integrohet në Europë. Do vijë shpejt koha për zgjedhje të reja, por për ti fituar ato duhet punuar serioz

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›