Banorët e Bardhajt: Pastroni fshatin nga municionet, rrezikohen fëmijët
Një ditë pas vdekjes së 13-vjeçarit, Daniel Marashi, nga shpërthimi i predhës, banorët apel shtetit për masa urgjente
Familja e Danielit: Djali pas shkollës dilte përditë në kërkim të hekurishteve, si mundësi për t'i shpëtuar varfërisë
Shkodër-Një ditë pas vdekjes së 13-vjeçarit në Bardhaj të Shkodrës nga shpërthimi i predhës, banorët e zonës bëjnë apel për ndihmë. Janë tejet të varfër, por thirrja drejtuar shtetit kësaj radhe është për të mbrojtur jetën e fëmijëve. Jetë, që sipas tyre kërcënohet nga predhat dhe municionet e shumtë që janë endur këtyre anëve.
Ata kërkojnë ndërhyrje me çdo kusht, ndryshe nuk janë në gjendje të ruajnë fëmijët, që bashkë me ruajtjen e bagëtive luajnë mbi predha. Kërkesa është bërë dje pas ceremonisë mortore të Daniel Marashit, që dy ditë më parë humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një predhe, teksa po mundohej të shkëpuste pjesën metalike për ta shitur për skrap.
Ceremonia
Në familjen e Tonin Marashit, në fshatin Bardhaj dhimbja është tepër e madhe. Banesa njëkatëshe ku Tonini jeton me familjen e tij, pret e përcjell njerëz të shumtë, që vijnë për ngushëllim. Trupi i pajetë i vogëlushit qëndron në mes grave që vajtojnë në një çadër në formë tende, të ngritur në oborrin e shtëpisë. Varfëria është e pranishme në këtë shtëpi të thjeshtë, ku Tonin Marashi nga Zejmeni i Lezhës është vendosur vite më parë me shpresën e një jete më të mirë. Këtu ai jetonte me gruan dhe katër fëmijët e tyre, tre djem dhe një vajzë, ku dy ngadjemtë ishin binjakë. Njëri prej tyre, si pasojë e një sëmundjeje është i paralizuar, ndërsa binjaku i tij ishte Danieli që humbi jetën. "Djali ka ardhë nga shkolla dhe ka lanë çantën e ka dalë për të gjetur hekur, si bënte dhe ditët e tjera. I kam thënë të shihte dhe lopën, e cila ishte duke kullotur. Kemi dëgjuar një shpërthim të fortë, i cili tronditidhe shtëpinë tonë, që është rreth 200 m larg vendit të ngjarjes",-rrëfen ai. Tregon se ndiesia e prindit e bëri që diçka t'i sëmbonte në zemër kur ndieu shpërthimin dhe nisi djalin që të shikonte çfarë kishte ngjarë. "Djali u nis me një shok të shikonte, por sa pa trupin e Danielit i ra të fikët. Kanë qenë komshijtë që na lajmëruan, por kur shkuam çdo gjë ishte e kotë. Më pas erdhi edhe policia",- thotë Tonini.
Apeli
Një kushëri i parë i viktimës kërkon vëmendjen dhe masa urgjente nga shteti në mënyrë që këto tragjedi të mos përsëriten më. "Ministria e Mbrojtjes dhe shteti shqiptar duhet të marrin masa konkrete për pastrimin e këtyre zonave nga minat e municionet luftarake",- thotë ai, duke shtuar se duhet të angazhohen struktura të posaçme që vendi të pastrohet nga municionet e vdekjes. "Kjo zone, dikur repart ushtarak është e mbushur me predha e municione. Varfëria i bën fëmijë e të rritur të kërkojnë, për hekur dhe tragjedi të tjera janë të mundshme të ndodhin, nëse nuk merren masa",- thonë banorët e fshatit. Të tjerë banorë shprehen se grumbullimi i hekurishteve është një mundësi për të mbytur varfërinë dhe për këtë, nga nevoja e ngutshme e mbijetesës angazhojnë edhe fëmijët.