E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradec, një familje padit policinë maqedonase për vrasjen e djalit

Familja Yzellari, 10 vite pas vrasjes së djalit 12-vjeç në kufi dhe marrjes së organeve të brendshme, kërkon drejtësi
Pogradec-Dhembja për humbjen e djalit, këtu e 10 vite të shkuara mbetet e freskët në familjen Yzellari në Hudënisht të Pogradecit. Vdekja tragjike e 12-vjeçarit, Erigert Yzellari, në pranverën e vitit 1998, mbi 150 metër në brendësi të kufirit maqedonas nga policët e shtetit fqinj, e më pas dërgimi i trupit të tij pa organet e brendshme është thelbi i gjyqit të nisur dje në Ohër. Proces gjyqësor, rifilluar nga familja, e cila akuzon policinë maqedonase për tragjedinë dhe kërkon detaje se ku përfunduan organet e brendshme të djalit të saj të vogël.
Familja ka ruajtur me kohë dëshmitë, që më pas të mbledhura bashkë i ka bërë pjesë e një procesi nga i cili kërkojnë drejtësi. Nëna e 12-vjeçarit, Flora Yzellari risjell mes lotësh historinë, kur djali i saj i vogël u vra pa asnjë motiv, dhe ndërsa ende nuk kishte dhënë shpirt, iu morën organet. "Ishin 6 fëmijë pogradecarë nga fshati Hudënisht, edhe djali ynë, të cilët ishin marrë nga disa trafikantë bagëtish për të dërguar matanë kufirit tufat e lopëve. Fëmijëve u kishin premtuar se nëse do t'i shpinin lopët në afërsi të fshatit maqedonas Frëngovë do të merrnin si shpërblim nga 1000 lekë të reja",- nis rrëfimin Flora. Sipas saj, ka qenë ora 6.20 minuta e mëngjesit, kur papritur vetëm 150 m brenda vijës së kufirit maqedonas, në afërsi të tunelit të Qafë-Thanës janë dëgjuar të shtëna armësh. Ashtu si dëshmuan më vonë për familjarët, fëmijët e vegjël nga breshëria lëshuar në drejtim të tyre mbeti i shembur përtokë Ergerti. Elton Abasllari dhe Irini Torollari, sipas familjarëve, kanë treguar se e kanë parë djalin të rrëzuar e të mbuluar në gjak. "Ndërkohë, njëri nga ushtarët maqedonas me uniformë, i mallkoi në gjuhën shqipe shokët e tij, duke i rënë kufomës sipër duke qarë",-tregon Abasllari. Ashtu si dëshmon edhe familja Yzellari, ai ishte një ushtar shqiptaro-maqedonas, nga Gostivari, i cili pas 7 vjetësh erdhi në Hudënisht për të pirë kafë pranë familjes për Erigertin e vogël.
Trupi iu kthye familjes vetëm pasdite vonë. "Në orën 18.00 trupi mbërriti në doganën e Qafë-Thanës nga policia maqedonase",- thonë familjarët. Sipas tyre, në kohën e riteve, hoxha që e lau konstatoi çarje dhe qepje në pjesën e barkut e më pas boshllëk total në brendësi. "Djalit i mungonin organet e brendshme",- thonë ata, duke treguar se barku ishte i qepur në mënyrë primitive me spango. Fëmijës ndërkohë nuk iu bë kurrë ekspertiza mjeko-ligjore nga policia e Pogradecit. Babai, Saliu vijon rrëfimin rrëqethës me pamjet që një nga stacionet televizive kishte montuar, duke treguar sikur fëmijët shqiptarë kishin hyrë me armë në tokën maqedonase. "Edhe pse kanë kaluar 10 vjet, nuk dimë asgjë rreth tragjedisë që na ndodhi, pse e vranë dhe ku shkuan organet e djalit. Çfarë bënë ata 10 orë me kufomën e tij, nga ora 6.00 e mëngjesit deri në 18.00"- thotë Saliu. Sipas Florës, gjyqi që ka filluar në Maqedoni në qytetin e Ohrit me faktet e grumbulluara dhe me dëshmitarët okularë duhet ta zgjidhë këtë mister. Avokati mbrojtës i familjes Yzellari, Bekim Kaba nga Struga është optimist se kjo ngjarje misterioze do të zbardhet deri në detaje. Ndërkohë, banorët e zonës i tremben pasojave që mund të sjellë bllokimi i vizave, duke qenë se shqiptarët në të dy anët e kufirit kanë lidhje të ngushta familjare. Vetëm në këtë zonë të vijës kufitare janë vrarë 17 shqiptarë dhe janë plagosur rëndë duke ngelur invalidë 40 të tjerë. Gaqo Qyshko, banor në fshatin Lin, të cilit i ka humbur djali 17-vjeçar në liqen duke gjuajtur peshk në mënyrë misterioze, e quan të frikshme masën e deklaruar së fundi.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›