E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, banorët largojnë firmën koncesionare nga bakri

Firma po punonte për të zbuluar bakër por fshatarët kanë kërkuar që ajo t'i paguajë sepse i ka zënë tokat
MIRDITË- Banorë të fshatit Përlat i Epër në komunë Kthellë të Mirditës, ku po bëhen kërkime gjeologjike për rezerva bakri, kanë përzënë nga punimet punonjësit e firmës nënkontraktore "Doko" që punon atje për llogari të kompanisë kanadeze "Balkan-resurs". Shkak është bërë mospajtimi i banorëve për masën e shpërblimit për tokën e zënë nga kërkimet gjeologjike ku janë vendosur sondat e shpimit. Ka qenë një banor i fshatit, në tokën e të cilit po shpohet për të kërkuar mineralin e bakrit, i cili u ka kërkuar specialistëve aty të ndërpresin punën nëse nuk i paguhet toka e zënë nga punimet. Sipas drejtuesve të firmës në fjalë, shpërblimi i kërkuar nga banori në fjalë është në shifra marramendëse: për një sasi 500 metra tokë, ai ka kërkuar plot 25 milionë lekë të vjetra. Ndërsa ne, sipas drejtuesve, u kemi ofruar shumën që përcaktohet në ligjin shqiptar,2,5 euro për metër katrorë, duke u konvertuar kësisoj në rreth 1300 euro për sipërfaqen e zënë, ndërsa pas mbarimit të punës aty, kthimin në gjendjen e mëparshme të tokës. Nga ana tjetër, gjithnjë sipas sipërmarrësve, kemi afruar vende pune me pagesa të kënaqshme si sondistë, punëtorë të thjeshtë dhe në shërbime, tani që jemi thjeshtë në kërkime pa përmendur faktin e shtimit të punësimit pas ardhjes së investitorëve kanadezë për shfrytëzimin e mineralit të gjetur. Për zhbllokimin e punëve, kompania kanadeze, e cila e ka marrë me koncesion kërkimin e këtij vendburimi, ka dërguar drejtues të saj në një takim me pushtetin vendor, deputetin e zonës e të tjerë. Ata u kanë dhënë përkrahje për zhbllokimin e punës përmes kryerjes së negociatave me banorët atje, ndërkaq disa prej drejtuesve vendorë kanë qenë të pakënaqur për mënyrën sesi operojnë kompanitë koncesionare, të cilat pa pritur pa kujtuar, gjenden në majë malesh a mes fshatrave pa u takuar me askënd drejtues të pushtetit vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›