E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton grabitjen e gjeneratorit, vdes nga korrenti

Ylli Elezi kishte shkuar së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij për të grabitur gjeneratorin por ka rënë në tension
Lushnje/ Policia identifikon bashkëpunëtorin Luan Mara, i cili shpuri trupin e viktimës në shtëpi
LUSHNJE- Një person nga fshati Shën Vlash i Durrësit ka gjetur vdekjen mesnatën e kaluar teksa po grabiste një gjenerator në fshatin Tre Urat në rrethin e Lushnjes. Ylli Elezi kishte shkuar së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij për të grabitur gjeneratorin, i cili më pas do shitej por ka rënë në tension duke vdekur në vend. Kanë qenë shokët e tij që e kanë marrë në krahë dhe e kanë shpënë deri në shtëpi. Policia ka identifikuar tashmë një prej bashkëpunëtorëve të viktimës, i cili është shtetasi Muhamet Mara nga Shkozeti i Durrësit. Ai dhe personi i tretë janë në kërkim nga policia dhe ende nuk janë arrestuar.
Niset për grabitje por gjen vdekjen nga korrenti. Kjo është historia e hidhur e një personi nga fshati Shën Vlash i Durrësit. Burimet zyrtare të policisë së Lushnjes pohuan se Ylli Elezi, së bashku me dy miq të tij ishin nisur për të kryer një grabitje në fshatin Tre Urat. Objektivi i tyre ishte një gjenerator elektrik që furnizonte me energji këtë fshat. Ata kanë hyrë gjatë natës në komunën Grabian dhe pak pas mesnatës kanë shkuar në vendin ku ndodhej gjeneratori elektrik. Ata kanë hyrë në kabinën elektrike dhe kanë nisur të çmontojnë gjeneratorin por pa stakuar më parë rrymën. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lushnjes, në një moment Ylli Elezi ka rënë në tension dhe kjo i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. "Ylli Elezi, banues në Shën Vlash të rrethit të Durrësit, ka gjetur vdekjen mesnatën e kaluar, pasi ka rënë në tension elektrik, gjatë një tentative për grabitje",- thanë burimet. Pas kësaj shoku i tij, Muhamet Mara ka marrë trupin dhe e ka shpënë në shtëpinë e viktimës. Në këtë kohë familjarët e tij kanë raportuar ngjarjen e ndodhur dhe policia ka nisur hetimet. Deri tani policia ka arritur që të zbulojë vetëm emrin e Muhamet Marës ndërsa bashkëpunëtori i tretë nuk është identifikuar ende. Ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe së bashku me Marën janë shpallur persona në kërkim. Hetuesit e policisë pohuan dje se në këtë zonë janë grabitur disa herë transformatorët dhe gjeneratorët elektrikë por ky ishte rasti i parë që rryma elektrike mori jetën e një prej grabitësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›