E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolonjë, gjendet i vdekur në greminë 20-vjeçari

Familja kishte denoncuar zhdukjen e Kostika Tallës, me probleme mendore, ditën e hënë
 
 
Kolonjë- Zhduket në rrethana misterioze dhe më pas gjendet në një humnerë një
20-vjeçar nga Leskoviku. Djali i zhdukur prej gati 24 orësh kishte vënë në alarm policinë e Kolonjës, e cila ka ndërmarrë dhe  një operacion për gjetjen  e të riut me probleme mendore. Por, Kostika Talla është gjetur pa jetë në thellësi të një gremine.
***
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, mësohet se Kostika Talla ishte larguar nga shtëpia e vet një ditë më parë, ndërsa zhdukja e papritur e tij ka vënë në alarm, jo vetëm familjarët, por dhe të afërmit e djalit. Ndonëse kanë nisur kërkimet e menjëhershme, nuk është bërë e mundur që ai të gjendet i gjallë, ndërkohë që trupi i pajetë i 20-vjeçarit është gjetur në një humnerë gati 50 metra të thellë. “Kostika Talla është gjetur në një humnerë në segmentin Leskovik-Shëndëlli i vdekur”,- kanë bërë të ditur burimet zyrtare të policisë.
***
Denoncimi i familjarëve për zhdukjen e papritur të djalit është bërë gjatë të hënës, ndërsa vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë gjetur gjurmë të tij dhe më pas ai vetë. Nuk dihet se si 20-vjeçari ka përfunduar në këtë vend, ndërsa mendohet që nga errësira e natës së shkuar ai të ketë përfunduar në këtë humnerë, ndonëse nuk përjashtohet mundësia dhe e një hedhjeje të vullnetshme nga ana e tij. Policia vendore ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa ka mbetur i pazbuluar shkaku i vdekjes së të riut, i shpallur i zhdukur, madje i denoncuar 24 orë më parë nga prindërit e tij në postën policore të Leskovikut. Trupi i pajetë i tij është nxjerrë me mjaft vështirësi nga thellësia e humnerës gjatë paradites së djeshme. “Jemi duke punuar për zbulimin e kësaj vdekjeje, megjithëse ka shumë mundësi sipas ekspertëve që ajo të jetë aksidentale”,- thonë burimet policore.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›