E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitësi ambulant zbulon bazën e heroinës

 Operacion antidrogë në Tiranë. Përdoruesi i drogës zbulonheroinën që ishte gati për t'u hedhur në treg
Bllokohen 700 gr heroinë në një banesë në rrugën "Jeronim De Rada". Policia arreston pronarin
 
TIRANË- Antidroga e policisë së Tiranës sekuestron 700 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Specialistët e seksionit të luftës kundër drogës organizuan ditën e djeshme një operacion, i cili vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me qëllim kapjen e personave të cilët janë posedues të heroinës. Burime nga policia thanë se droga u gjet dhe u sekuestrua në një banesë në rrugën "Jeronim De Rada" kryeqytet. Policia shoqëroi dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Ata janë marrë në pyetje ndërsa pritet arrestimi i tyre në orët e para të mëngjesit, pasi dyshohet se janë pronarë të sasisë së drogës së sekuestruar.
Droga
Kapja e një përdoruesi droge është bërë shkak për zbulimin e rreth 700 gramë drogë e dyshuar e llojit heroinë në një banesë në kryeqytet. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se në qendër të Tiranës, pranë Muzeut Kombëtar policia kapi një person i cili ishte shitës ambulant, i cili njihej si përdorues dhe shpërndarës droge. Më pas vëzhgimet e mëparshme të tij çuan policia në një banesë ku ndodhej një sasi e konsiderueshme heroine. Për të sekuestruar heroinën, agjentët e antidrogës organizuan një operacion pasditen e djeshme i cili u finalizua me sekuestrimin e 700 gramëve lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë. "Në rrugë operative siguruar informacione për vendndodhjen e sasi së drogës dhe menjëherë u angazhuam për sekuestrimin e saj si dhe kapjen e poseduesve të drogës"- thanë për "Shekullin" burime nga policia e Tiranës.
Të shoqëruarit
Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia ende nuk mundi t'u mbërthente prangat të dyshuarve si posedues të sasi së drogës së bllokuar. "Shoqëruam dy persona si posedues të dyshuar të rreh 700 gramëve drogë që bllokuam. Ata janë marrë në pyetje ndërsa pritet arrestimi i tyre"- bënë të ditur burime nga policia e kryeqytetit. Fill pas bllokimit të sasisë së drogës në një banesë në rrugën "Jeronim De Rada" në Tiranë, antidroga shoqëroi në ambientet e drejtorisë së policisë së kryeqytetit dy persona të cilët pritet përfundojnë në pranga. Ndërkohë që operacioni i antidrogës ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes me qëllim identifikimin e të tjerë personave të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të drogës. Burime nga policia thanë se ende nuk është zbuluar burimi i drogës, ndërsa dyshohet se kishte për destinacion tregun e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›