Banorët e Bathores, të Paskuqanit, të ish-Kënetës në Durrës dhe të Elbasanit, që përfitojnë lejen e legalizimit
Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit ka përfunduar fazën e dytë të dosjeve të banorëve të disa zonave informale në të gjithë vendin. Gazeta “Albania” boton në numrin e sotëm listat me emrat e 2582 banorëve të zonës së Bathores, Paskuqanit në Tiranë, të ish-Kënetës në Durrës dhe të disa banorëve të Elbasanit. Për këta banorë është përfunduar dokumentacioni tekniko-ligjor, është kryer verifikimi i dokumentacionin dhe verifikimi në terren i objektit pa leje dhe dosja ka shkuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Në numrin e ardhshëm gazeta do të botojë emrat e banorëve të tjerë që kanë ndërtuar pa leje në Elbasan, Vlorë, Shkodër, Kukës e Lezhë.
Banorët që nuk kanë paguar faturën financiare duhet të paguajnë në bazë të sipërfaqes dhe çmimeve që janë parashikuar në ligjin e legalizimeve. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj; për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë të rinj; për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë të rinj; për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë të rinj dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë të rinj. Ndërsa për parcelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë të rinj; për sipërfaqe deri në 200 m2, 300 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2, 400 mijë lekë të rinj dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Përveç pagesës për truallin e zënë nga ndërtimi informal, banorët do të paguajnë dhe tarifën e shërbimit për të gjithë dokumentacionin që përgatitet nga ALUIZNI. Tarifa e shërbimit do të kushtojë 4 mijë lekë dhe kjo vlerë është e pandryshueshme, pavarësisht sipërfaqes së ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit informal.
9 Janar 2009