E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kategoritë që duhet ti marrin falas kartat e identitetit

LSI-ja propozon që kartat e identitetit t’u jepen falas kategorive në nevojë. Vasili: “Nëse qeveria nuk bën një gjë të tillë, 1 milion shqiptarë rrezikojnë përjashtimin nga zgjedhjet”

Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga qeveria që të shpërndajë falas kartat e identitetit për shtresat në nevojë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se LSI-ja është e shqetësuar se, për arsye të varfërisë se skajshme, varfëri e cila është thelluar në mënyrë të frikshme në vitet e qeverisjes së Berishës, për mjaft qytetarë shqiptarë pajisja me karta identiteti është e pamundur. Për këtë arsye, Vasili, në emër të LSI-së i kërkoi qeverisë “Berisha” që në mënyrë te menjëhershme të marrë masa dhe të pajisë pa pagesë me karta identiteti kategoritë në nevojë. “Qeveria duhet të zgjidhë në mënyrë të menjëhershme këtë problem për këtë kategori qytetarësh, sepse përndryshe rrezikohen që rreth 1 milion qytetarë të mos marrin pjesë, pra, të përjashtohen nga procesi i votimit”, - tha Vasili.

Kategoritë
Në kategoritë për të cilat LSI-ja propozon pajisjen falas me karta identiteti bëjnë pjesë pensionistë në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë e tyre si dhe personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat. Sipas Vasilit, pajisja falas me karta identiteti për këto kategori do të ishte një investim i frytshëm për standardet e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. “Ky investim i qeverisë në këtë moment, është i domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen, sepse sot ai do të garantonte standardet e zgjedhjeve, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve që te marrin pjesë në to dhe është shume i rëndësishëm për të nesërmen, ku në një Shqipëri normale, qytetarët që punojnë dhe paguajnë taksat do të garantonin të ardhurat mjaft të larta për shtetin, të ardhura që do të kalonin shumë e shumë herë këtë investim të vogël që shteti sot do të bënte për ta”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili.

Debati
Vasili ka komentuar gjithashtu edhe debatin midis kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, në lidhje me shifrat reale të rritjes ekonomike në vend. Vasili e cilësoi këtë debat të papërgjegjshëm dhe me efekt negativ në ekonominë shqiptare. Ai tha se Berisha dhe Bode kanë humbur kredibilitetin politik. “Debati i tyre, në dukje i papërgjegjshëm, ka një ndikim me disa miliarda euro në ekonominë shqiptare. Si një debat midis kryeministrit dhe ministrit që administron financat, dhe mendimet e ndryshme të tyre, i ngarkojnë ata me përgjegjësi të rënda në ushtrimin e papërgjegjshëm të detyrave të larta shtetërore. Pra, praktikisht këta dy personave kanë humbur kredibilitetin e tyre politik dhe duke menduar se janë të njëjtët aktorë të cilët janë shprehur po me të njëjtën papërgjegjshmëri edhe në 1996-n lidhur me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e financave shqiptare dhe më tej ndodhi kolapsi tragjik i 1996-s, dhe mendoj që pozicioni i tyre politik është cenuar rëndë dhe duhet riparë”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili.

Kategoritë që propozon LSI-ja për karta identiteti falas

1-Pensionistë në fshat dhe qytet
2-Studentët dhe nxënësit
3-Personat që marrin pagesë papunësie
4-Të papunët
5-Personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike
6-Personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë e tyre
7-Personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat

Sanksionet e planifikuara nga qeveria

1-Punonjësit e administratës publike që nuk aplikojnë deri në datën 25 shkurt 2009, nuk do të marrin rrogat
2- Pensionistët nuk do të marrin pensionet në rast se nuk kanë aplikuar deri më 25 mars 2009
3-Shtetasit që nuk aplikojnë deri më 30 prill 2009, nuk do të marrin ndihmën sociale
4-Nxënësit dhe studentët që nuk do të aplikojnë, nuk do të lejohen të futen në provime.

Sanksione të tjera
1-Mohimi i shërbimit në zyrat e gjendjes civile
2-Mohimi i lëshimit dhe rinovimit të lejeve të licencave të dhëna nga organet e pushtetit qëndron dhe vendor
3-Mohimi i aplikimit dhe pajisjes me certifikatë pronësie nga ana e zyrës së pronësisë
4-Mohimi i aplikimit dhe lëshimit të dokumentit si leje drejtimi të automjetit dhe kolaudimin e tyre
5-Nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë emigrantët të cilët nuk disponojnë kodin e aplikimit

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›