PS, kandidatët për deputetë përcaktohen nga kriteret dhe sondazhet
Shaban Sulçe
Kriteret e vendosura dhe rezultati i sondazheve me anëtarësinë do të kenë një efekt deciviz në përcaktimin e emrave për kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi disa muaj më parë se emrat për kandidatë për deputetë do të përcaktohen vetëm 45 ditë përpara fillimit të fushatës elektorale, në selinë rozë po i kushtohet një rëndësi përcaktimit të kritereve që do të vendosen për personat që tentojnë të kandidojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e këtij viti. Por po aq të rëndësishme në përcaktimin e emrave për kandidatë do të jenë edhe rezultatet e sondazheve me anëtarësinë socialiste, e cila do të japë pëlqimin e saj për emrat që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në garën parlamentare. Me sa duket selia rozë ka programuar të përdorë të njëjtën praktikë që bëri edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar partie para dy vjetësh, duke kërkuar vlerësimin e elektoratit për secilin emër para se të bëhet renditja e tyre në listat shumemërore. Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste do të bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes, freskimit të elitave politike dhe respektimit të parimit për përfshirjen në 30% të kandidateve femra.
Kriteret
Kriteret për kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme duket se do të jenë të njëjta me ato të përdorura për zgjedhjen e kryetarëve të degëve lokale të Partisë Socialiste në rrethe. Kriteret minimale për kandidatët për deputetë të PS-së në zgjedhjet e ardhshme janë si më poshtë: kandidati duhet të ketë jo më pak se 3 vjet anëtarësi në parti dhe të jetë zgjedhur në KD-në e rrethit ose një mandat përfaqësimi si deputet. Kriteret e tjera vijojnë si më poshtë: të jetë figurë e njohur politike, të jetë vlerësuar pozitivisht në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, të ketë përvojë dhe aftësi të treguara në drejtimin dhe organizimin e partisë, të këtë arsim të lartë, të ketë oratori të kënaqshme, të këtë karakter aktiv si dhe të tregojë përkushtim dhe përgjegjësi ndaj Partisë.
Sondazhet
Elektorati i Partisë Socialiste do të ketë mundësinë që të përzgjedhë emrat e kandidatëve për deputetë që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Propozimi, i cili gjendet në strategjinë elektorale të Partisë Socialiste, ka gjetur mbështetjen e Kryesisë së PS-së në një nga mbledhjet e fundit të saj. Elektorati dhe anëtarët e PS-së në të 12 qarqet e vendit do të thonë fjalën e tyre për miratimin ose jo të kandidatëve për deputetë që do të përfshihen në listat e Partisë Socialiste. Kjo do të realizohet nëpërmjet sondazheve. Rezultatet e këtyre të fundit do të përcaktojnë nëse propozimet e bëra nga strukturat drejtuese të PS-së për emrat e kandidatëve do të kenë mbështetjen decizive të elektoratit socialist.
Deputetët aktualë
Për deputetët aktualë të Partisë Socialiste, të cilët synojnë rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme, do të jetë shumë e rëndësishme puna individuale e secilit deputet si në Kuvend, ashtu edhe në zonën e tij elektorale. Të paktën këto dy kritere u vendosën nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë një mbledhjeje që ai zhvilloi me deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në fillim të kësaj legjislature në muajin shtator.
9 Janar 2009