Poni: “Sanksione për ata që nuk aplikojnë për karta identiteti”
Qeveria ka parashikuar vendosjen e sanksioneve për të gjithë shtetasit shqiptarë mbi 18 vjeç, të cilët nuk do të aplikojnë për pajisjen me karta identiteti. Tri ditë nga afati i përcaktuar nga qeveria për shpërndarjen e kartave të identitetit, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka bërë të ditura sanksionet që do të merren për kategoritë e caktuara të personave, të cilët do të hezitojnë të aplikojnë për t’u pajisur me këto karta. Sipas Ponit, ata që përfshihen nga sanksionet, në rast mosaplikimi vijojnë si më poshtë.
Të gjithë personat që punojnë në administratën publike dhe lokale, në rast mos aplikimi deri në datën 25 shkurt 2009, nuk do t’i marrin rrogat ose shpërblimet. Pensionistët nuk do të marrin pensionet në rast se nuk kanë aplikuar deri më 25 mars 2009. Shtetasit të cilët nuk aplikojnë deri në 30 prill 2009 nuk do të marrin ndihmën sociale. Nxënësit dhe studentët të cilët nuk do të aplikojnë nuk do të lejohen të futen në provime. Sanksione të tjera janë: mohimi i shërbimit në zyrat e gjendjes civile, mohimi i lëshimit dhe rinovimit të lejeve të licencave të dhëna nga organet e pushtetit qëndron dhe vendor, mohimi i aplikimit dhe pajisjes me certifikatë pronësie nga ana e zyrës së pronësisë, mohimi i aplikimit dhe lëshimit të dokumentit si leje drejtimi të automjetit dhe kolaudimin e tyre. Gjithashtu nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë emigrantët, të cilët nuk disponojnë kodin e aplikimit. Sanksioni detyron gjithashtu edhe emigrantët shqiptarë me pajisjen me këtë dokument, në të kundërt ata nuk do të lejohen të kalojnë territorin shqiptar pa pasur kodin e aplikimit për kartën. Sipas zëvendësministri Poni, nisur nga sasia e stacioneve të aplikimit në të gjithë Shqipërinë janë 400 të tilla, kapaciteti për aplikim për kartat në një ditë është 20 deri në 25 mijë shtetas.
Procedura për pajisjen me karta identiteti nis me pagesën e faturës prej 1200 lekësh në zyrat postare dhe më pas paraqitja me mandatin e pagesës në zyrat e gjendjes civile përkatëse. Me marrjen e shenjës së gishtit, fotografimit dhe firmës elektronike shtetasit riverifikojnë të dhënat e tyre dhe presin më pas njoftimin në banesë për t’u pajisur me këtë kartë. Kryeqytetit e nisin procesin e aplikimit të hënën e ardhshme, ndërsa deri më 31 janar ky proces do të ketë përfshirë të gjithë Shqipërinë.
9 Janar 2009