Banoret e Bicajt reagojne kunder Martit
Aludimit e reporterit të Parlamentit të Europës, Dik Marti, sipas të cilit në Komunën Bicaj të Kukësit ka varre masive të civilëve serbë, kanë ngjallur reagimin e kuksianëve. Drejtues vendorë, intelektualë, historianë dhe njerëz të thjeshtë mendojnë se Dik Marti përbën një segment të politikës shoviniste serbe kundër shqiptarëve dhe se përmendja e emrit të fshatit Bicaj është bërë pikërisht për të njollosur emrin e krahinës së Lumës. Shumica e njerëzve i konsiderojnë shpifje deklaratat e Martit dhe shenjë e sulmit që ndërmerr nacional-shovinizmi serb si hakmarrje për humbjet që pësoi Serbia në Lumë në vitin 1912, kur hyri në këtë krahinë si pushtues dhe ku mbetën të vrarë 12 mijë ushtarë, siç tregojnë kronikat e kohës. Kryetari i Komunës Bicaj, Arben Korbi, duke hedhur poshtë hamendjet e Martit, thotë se: “Në territorin e komunës sonë dhe besoj se askund në Shqipëri, nuk ka varre masive të civilëve, siç aludon Marti me paturpësi. Ai paguhet nga Beogradi për të penguar integrimin e shqiptarëve në Europë, por nuk ka për t’ia arritur. Ai është dora e fshehur e serbëve luftënxitës dhe shovinistë, ndoshta si kundërveprim dhe ekspansion historik për humbjet që pësuan pushtuesit serbë në Lumë, ku Bicaj ishte qendër krahinore dhe ku mbetën të vrarë 12 mijë ushtarë”. Ndërkohë, Arben Korbi, me profesion mjek, thotë se në vitet e luftës së Kosovës ka punuar në spitalin rajonal të Kukësit dhe se përveçse ka kuruar civilë shqiptarë të plagosur, as ka parë e dëgjuar për ndonjë varr të vetëm të tipit që përmend Marti në raportin e tij denigrues për shqiptarët. “Le të vijnë e të verifikojnë, këtu nuk ka varre masive”, tha Korbi, duke shtuar se për shpifësin, siç e quajti Dik Martin, do t’i drejtohej gjykatës ndërkombëtare për ta ndjekur penalisht. Edhe banorët në tërësi e hedhin poshtë si një shpifje të rrezikshme. Shumë prej banorëve tregojnë se në Bicaj nuk gjenden varre të panjohura e aq më pak të huaja. Gjatë viteve të luftës ata tregojnë se kanë pritur në shtëpitë e tyre qindra gra, fëmijë e pleq të dëbuar nga Kosova dhe asnjëherë nuk kanë dëgjuar për varre masive të kujtdo qofshin viktimat. “Jo, këtu nuk ka varre të huaja. Secili njeh varret e të parëve të vet dhe as kemi dëgjuar të flitet për varre masive”, thotë Bukurije Brati, 60 vjeçe, e cila shton se viti 1999 i kujton faktin se ka pritur në shtëpi për më shumë se 30 persona të një familjeje të madhe nga Postlishti i Kosovës, të cilët ishin të terrorizuar nga dhuna e pushtuesve serbë. Komuniteti është i indinjuar me përmendjen e fshatit si vend ku mund të gjenden varre masive të viteve 1998 dhe 1999. Një pjesë e njerëzve tregojnë se janë të befasuar negativisht, ndërsa shumë të tjerë besojnë se Marti përbën një segment të politikës shoviniste serbe.