Me dhane 100 mije euro per te genjyer
Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar një rrëfim ekskluziv të një dëshmitari, të cilit i ishin ofruar shuma të mëdha parash në këmbim të deklaratës për të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë”. Në një speciale të emetuar dje, televizioni publik ka publikuar fakte që hedhin dritë mbi manipulimin në këmbim të parave, të provave mbi akuzat për trafik organesh që mbështeten nga Beogradi, Karla del Ponte dhe Dik Marti. E dëgjuar vetëm në prokurori, dëshmia e tij sjell detaje të takimeve me Igor Juçinacin, i dyshuar dhe i arrestuar në qershor të vitit 2009 dhe i liruar në shkurt të këtij viti nga një gjyqtar ndërkombëtar. Një dëshmitar ka thënë për RTK-së se Igor Juçinac i ka ofruar shuma të mëdha parash që të bëjë deklaratë të rreme për “Shtëpinë e verdhë”, por nuk e ka pranuar këtë ofertë dhe e ka denoncuar në polici. Dëshmitari ka thënë se dëshmia e tij kurrë nuk është marrë parasysh nga prokuroria. Policia e Kosovës kishte arrestuar vitin e kaluar Igor Juçinac dhe dy serbë të tjerë, nën dyshimin se kanë kryer vepra kriminale, duke ofruar shuma të mëdha parash, më shumë se 100 mijë euro për të gjithë ata që bëhen dëshmitarë të aferës rreth marrjes dhe trafikimit të organeve njerëzore nga ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Por të arrestuarit janë liruar gjatë vitit 2010 nga një gjykatës ndërkombëtar, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme në akuzën ndaj të dyshuarve. Dëshmitari i RTK-së deklaroi se në takim Igori i ka thënë se “kanë të bëjnë me një biznes që do të përfitojnë shumë dhe e ka pyetur se për çfarë biznesi bëhet fjalë. Igori i është përgjigjur se vijnë disa persona nga Beogradi, që të kërkojnë një deklaratë nga ai, dhe duhet të thotë atë që thonë ata, pa marrë parasysh nëse di diçka apo nuk di, dhe i ka përmendur ‘Shtëpinë e verdhë’, për të cilën thotë se ka dëgjuar për herë të parë nga ai” . Dëshmitari pohoi se së pari i janë ofruar 30 mijë euro për deklaratën e rreme, herën e dytë 70 mijë dhe herën e tretë 100 mijë euro. Dëshmitari i RTK-së dhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët patën oferta për të bërë dëshmi të rreme, nuk u morën kurrë parasysh nga prokurorët dhe gjykatësit, të cilët shqyrtuan ccështjen e e serbëve të akuzuar për këtë krim.