E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, debate për listën e aplikuesve me karta

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve debaton për listën e munguar nga ana e Ministrisë së Brendshme për personat pa dokumente identifikimi. Anëtarët e majtë në KQZ, Artan Lazaj, Pandeli Varfi dhe Dëshira Subashi kanë ngritur pretendimin e shkeljes së ligjit nga ana e Ministrisë së Brendshme, për mos paraqitjen e listës. Nënkryetarja Subashi u shpreh se “nuk ka ardhur në KQZ lista e personave të cilët nuk disponojnë dokument për të qenë në qendrën e votimit më 28 qershor”. “Në këtë kuptim besoj se institucionit përkatës i duhet bërë urgjentisht një shkresë tjetër, ndoshta dhe institucioneve ndërkombëtare t’ua bëjmë me dije se në KQZ, edhe pse jemi në muajin e katërt, ende nuk ka mbërritur kjo listë e shtetasve, të cilët nuk disponojnë dokument sipas Kodit për të votuar”, deklaroi Subashi. Anëtari Artan Lazaj u shpreh se ky është detyrim ligjor, duke shtuar se “pas shumë kërkesave që kemi bërë, përsëri Ministria e Brendshme nuk ka plotësuar kërkesën tonë”. Ndërsa kreu i KQZ-së, Arben Ristani ka hedhur poshtë pretendimet e anëtarëve të së majtës, duke u shprehur se Ministria e Brendshme ka raportuar normalisht për procesin e pajisjes me kartat e identitetit. “Fjalë të përgjithshme se ka parregullsi nuk janë produktive për punën e KQZ-së. Është e vërtetë se nuk kemi pasur listë emrash, por nuk besoj se lista e emrave cenon punën e KQZ-së”, tha Ristani. Sipas tij, Ministria e Brendshme ka detyrimin për ta informuar KQZ jo më pak se një herë në muaj vetëm për ecurinë e procesit. “Lista e shtetasve do të dorëzohet në KQZ, se kur, nuk e thotë ligji këtë gjë” thekson Ristani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›