Banorët e Borshit, në protestë: Jemi me grevistët
Pasditen e së premtes, në orën 18;00, në vendin e quajtur Ura e Borshit në fshatin Borsh, një numër i konsiderueshëm banorësh, rreth 150 vetë, me parulla nëpër duar ku shkruhej “duam transparencën e pakteve të errëta, solidarizohemi me grevën e urisë, Berisha larg duart nga tokat e Bregdetit dhe Sarandës, stop varfërisë, pushteti i korruptuar”, dhe duke thirrur me parulla, kanë bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale, duke mos lejuar qarkullimin e shumë mjeteve nga të dyja anët e lëvizjes. Gjithë protestuesit ishin banorë të ardhur nga Saranda, gjithë bregdeti, por edhe nga Himara dhe ishte organizim i PS, në mbështetje të komunitetit të bregdetit për kërkesat e tyre të pazgjidhura prej vitesh për pronën dhe në solidarizim me grevistët në Tiranë. Mes protestuesve ndodhej edhe deputetja e PS e Qarkut të Vlorës, Luiza Xhuvani. Me megafon ajo u është drejtuar protestuesve duke u thënë se “ndodhemi këtu për t’i thënë stop njeriut që ka gllabëruar tokën tuaj, jemi këtu për t’u solidarizuar me grevistët e urisë në Tiranë”. Protestuesit, pas rreth një orë, të ulur për tokë në mes të urës së Borshit janë larguar pa krijuar probleme.
#