Gratë durrsake solidarizohen me grevistët, reagon PD
Gratë durrsake në protestë, reagon Partia Demokratike. Forumi i Gruas së Partisë Socialiste Durrës organizoi paraditen e së shtunës një protestë paqësore në shenjë solidariteti dhe në mbështetje të grevistëve të urisë. Gjatë protestës iu përcollën mesazhe të gjithë qytetarëve durrsakë dhe atyre të Shqipërisë që të bashkojnë vullnetin dhe forcën për t’i hapur rrugë procesit të transparencës së votës së lirë. Vajza, gra dhe nëna durrsake, pjesëmarrëse në këtë protestë që u zhvillua pranë rreth- rrotullimit të Shkozetit, i bënë apel qeveritarëve shqiptarë që të dëgjojnë zërin e fuqishëm të protestueseve që mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” çdo natë dhe i bashkëngjiten kurajës e vetëmohimit të grevistëve të urisë në kërkim të një demokracie të vërtetë dhe pushteti që buron nga vota e pacenuar e popullit. Menjëherë pas kësaj proteste ka reaguar dega e Partisë Demokratike në Durrës përmes kryetarit të saj, deputetit Igli Cara. Në deklaratën e vet, deputeti Cara e vlerësoi protestën e grave si një tubim të detyruar dhe të urdhëruar nga drejtuesit e pushtetit vendor: “Sot, me urdhër të Edi Ramës, nën kërcënimin e kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, një grup grash, që punojnë në Bashkinë e Durrësit, dolën të bllokojnë hyrjen e qytetit”. Cara i bëri thirrje Ramës dhe kryebashkiakut Dako që të mos përdorin gratë për qëllime politike dhe të mos e përcjellë modelin e krizës në Durrës. “Do t’i bëja thirrje z. Rama dhe ushtarit të keq z. Dako të mos i përdorin gratë për qëllime politike, të mos vënë nënat kundër bijve të tyre dhe zonjat kundër qytetit. Ta lënë të qetë Durrësin, i cili është modeli i humbjes së z. Rama. Durrësi nuk i ka qejf bllokimet veçanërisht në ditë pushimi”, përfundoi Cara.
#