E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Bradasheshit në protestë

Banorët në protestë

Banorët e fshatrave Reçam, Bradashesh dhe Shijon kanë vazhduar edhe sot protestën e tyre duke mos lejuar punimet në rrugën Elbasan-Tiranë. Banorët e këtyre fshatrave janë mbledhur për të mos lejuar që të vazhdojë puna në tokat e tyre pa marrë paratë e kompensimit. Ata kanë renditur edhe një herë kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.

Kërkojmë të rivlerësohet çmimi i kompensimit të tokës pasi 4 300 lekë metri katror është tallje për ne. Paguajmë taksa si tokë të kategorisë së parë ndërkohë që na vlerësohet si tokë e kategorisë së tretë, kërkojnë banorët.

Gjithashtu ka edhe banorë të cilët janë përballur së fundi me rrugën që i kalon vetëm 5 metra larg nga shtëpia. Rruga kalon vetëm 5 metra larg shtëpisë time kur realisht nuk lejohet pasi shtëpitë duhet të jenë të paktën 25 metra larg. Kërkoj kompensim për shtëpinë dhe tokën në kushtet e tregut se ndryshe nuk do të dal nga shtëpia bashkë me 5 fëmijët e mi, shprehet një nga banorët.

Ata shprehen se veç tokës kanë humbur prodhimin e këtij viti, pemtoret dhe gjithçka tjetër për të cilat kërkojnë kompensim. Të gjithë familjet e prekura shprehen të vendosura për vazhdimin e protestës dhe bllokimit të punimeve derisa të marrin vlerën e kompensimit të tokës, prodhimeve dhe shtëpive që humbin nga ndërtimi i autostradës Elbasan-Tiranë. /B.Nergjoni/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›