E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Dukasit: Firma kanadeze po na ndot zonën

PATOS - Banorët e fshatit Dukas në Patos ankohen se ndotja e shkaktuar nga kompania kanadeze e naftës “Bankers Petroleum”, po u ngordh bagëtitë.

 Sipas tyre, pajisjet e kësaj kompanie, të vendosura fare pranë banesave të fshatit, çlirojnë gaze, të cilat kanë kontaminuar gjithë zonën përreth. Ankesat e tyre dhe dëmshpërblimet që ata kanë kërkuar për dëmin ekonomik të shkaktuar nga zhurma dhe ndotja e pajisjeve të kompanisë kanë rënë në vesh të shurdhër. Tepër të irrituar, banorët e kësaj zone shprehen se, si rrugëzgjidhje të vetme do të shikojnë bllokimin e rrugës nacionale, pasi nuk mund të mbijetojnë dot në këtë vend, nëse nuk hiqen makineritë e “Bankers Petroleum”. “Ne do të bllokojmë edhe rrugën nacionale nëse është e domosdoshme. Bagëtitë po na ngordhin një e nga një. Frikë kemi edhe për shëndetin tonë dhe të fëmijëve, pasi siç mendojmë ne këto lëndë helmuese janë të dëmshme edhe për njeriun, derisa arrijnë të ngordhin bagëtitë. Ne vuajmë prej kohësh nga fenolet në gjak, që na sjellin shumë shqetësime. Tani nuk e dimë se, çfarë mund të na shfaqet tjetër, pas gjithë këtyre helmeve që thithim çdo ditë”, pohojnë banorët. Sipas tyre, ndotja e kësaj kompanie është shkaktarja kryesore për ngordhjen e shumë kafshëve shtëpiake si deleve, derrave, lopëve dhe gjedhëve të tjera që mbarështon kjo zonë. “Brenda 10 ditësh më kanë ngordhur më shumë se 5 kokë dele. Helmet që dalin nga makineritë e vendosura nga kompania kanadeze shkarkohen të gjitha në natyrë. Kullotat e bagëtive janë fare pranë këtyre pajisjeve dhe ne nuk kemi si ta evitojmë kontaminimin e tyre”, është shprehur për “Panorama” një fermer. Sipas tij, fshatarët nuk mund të gjejnë një tjetër zgjidhje për të kullotur bagëtitë e tyre, pasi i gjithë territori në këtë fshat është i ndotur. Më tej, ai ka vijuar se ajri ka një sasi të konsiderueshme helmi, pasi në të dalin gjithë avujt e kaldajave të instaluara. Ndërsa Robert Hoxha, një fermer i cili thotë se 5 vite më parë ka investuar rreth 60 mijë euro për ngritjen e një ferme të mbarështimit të gicave, ka pohuar se gjithçka shkonte mirë deri para shfaqjes së firmës. “Kur erdhi kjo firmë kërkoi të bënte urën dhe me kalimin e kohës pruri gjithë depozitat e karburantit. Njëkohësisht filloi të vinte në punë kaldajën, nga e cila çliroheshin pothuajse gjatë gjithë kohës avuj të dëmshëm dhe gazra të cilët kalonin të gjithë mbi shtëpitë dhe stallën time. Tashmë nga tronditjet, nga stalla ka nisur të bjerë soleta”, thotë Hoxha.           m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›