E Shtunë, 31 Tetor 2026

John Withers vizitë surprizë në gjykatë

TIRANE- Ambasadori amerikan John Withers vizitoi paraditen e djeshme Gjykatën e Tiranës, duke parë nga afër ambientet ku zhvillohen seancat gjyqësore në këtë institucion.

Vizita e ambasadorit Withers u zhvillua rreth orës 10:00 të paradites, ndërsa shoqërohej nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi dhe avokati i njohur amerikan Roger Sherrard, i cili ndodhet këto ditë në vendin tonë. Ambasadori i SHBA vizitoi personalisht dhe pa nga afër ambientet e kësaj Gjykate, që në fakt është më e madhja në vend, ku shqyrtohen mbi 40% të çështjeve gjyqësore në vend. Withers vizitoi sallat e gjyqeve dhe zyrat e disa prej gjyqtarëve të këtij institucioni, në të cilat si pasojë e mungesës së hapësirave ndodh që zhvillohen seanca gjyqësore. Ndërsa ndodhej në zyrën e gjyqtarit Petrit Çomo, ambasadori Withers pyeti se si veprohej që në zyrë të zhvilloheshin gjyqe me pjesëmarrjen e palëve dhe mediave. Gjyqtari Çomo, i cili deri para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për gjyqësorin ka mbajtur postin e numrit dy të këtij institucioni, pohoi se në rastet kur palët ndërgjyqëse përbëhen nga shumë persona, atëherë seancat zhvillohen në sallat e gjyqeve. Çomo i shpjegoi ambasadorit amerikan se Gjykata e Tiranës përbëhet nga më tepër se 50 gjyqtarë, dhe secili prej tyre zhvillon mesatarisht 10 seanca gjyqësore çdo ditë. Kjo bën që 7 sallat që janë në dispozicion për zhvillimin e proceseve të mospërballojnë fluksin e punës në këtë gjykatë, duke u bërë shkak që një pjesë e proceseve të zhvillohen nëpër zyra gjyqtarësh. Ambasadori i SHBA në këtë vizitë u prit nga kryetari i Gjykatës së Tiranës, Albert Meça, i cili e falënderoi për interesimin e shprehur për sistemin gjyqësor në Shqipëri dhe veçanërisht për Gjykatën e Tiranës. Withers e pyeti Meçen se cilat ishin nevojat prioritare të punës në këtë gjykatë. Meçe duke iu përgjigjur evidentoi si nevoja të ndjeshme dhe emergjente përmirësimin e infrastrukturës së kësaj gjykate dhe ambienteve të punës, si dhe rritjen e solemnitetit që do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të dhënies së drejtësisë. Më tej Meçe pohoi se ishte i domosdoshëm edhe përmirësimi i kushteve të sigurisë në zyrat e gjyqtarëve, sallat ku zhvillohen gjyqet dhe ambientet e tjera të kësaj gjykate do të ndihmonin gjyqtarët dhe stafin administrativ në rregullimin e performancës në dhënien e drejtësisë. Kreu i kësaj gjykate pohoi gjatë bisedës me ambasadorin se një ndër nevojat e ngutshme të institucionit është edhe zgjerimi i hapësirave për pritjen e publikut dhe zgjerimi i mjediseve të arkivës civile dhe asaj penale. Kjo, sipas Meçes, do të ndihmonte në rritjen e aksesit të publikut dhe krijimin e faciliteteve për pjesëmarrjen e mediave në çdo proces gjyqësor për të cilin kanë interes. Withers u njoh edhe me faktin se trajnimi i gjyqtarëve, sekretareve dhe stafit administrativ nëpër gjykata do të kontribuonte në rritjen profesionale të tyre dhe drejtpërdrejt në dhënien e drejtësisë.          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›