Prokuroria kthen lekët e Admir Moisiut
Fatos Mahmutaj
Ky ishte vendimi i djeshëm i gjyqtarit kryeqytetas Admir Thanza, i cili vendosi të pranonte padinë e Byrosë së Sigurimeve kundër organit qendror të akuzës. Nëpërmjet kësaj padie Byroja e Sigurimeve ka kërkuar rikthimin e shumës prej 7.505.215 lekësh, të cilën e ka paguar për vdekjen e Admir Moisiut dhe dëmtimin e shëndetit të personit që udhëtonte bashkë me të, Rrahman Jata. Në vendimin e djeshëm gjykata ngarkoi me përgjegjësi Prokurorinë e Përgjithshme për mospajisjen me dokumentacion ligjor të mjetit që shkaktoi tragjedi ndaj tre personave që udhëtonin me të paraditen e 10 marsit të vitit 2004. Më tej në vendim trupi gjykues ka argumentuar se në njërën nga seancat gjyqësore të këtij procesi përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme ka pohuar se Moisiu, i cili mbante detyrën e drejtorit të Kontrollit Financiar në këtë institucion; Shijaku që ishte shofer i sekretarit të Përgjithshëm dhe Jata inspektor i kontrollit financiar, ditën e ngjarjes ishin nisur me shërbim për arsye shtetërore por pa ndonjë urdhër të mirëfilltë eprori.
Ngjarja
Në vendimin e djeshëm trupi gjykues pohoi se sipas vendimit të pushimit të hetimeve të Prokurorisë së Tepelenës më datë 25 prill 2004, ka rezultuar se më datë 10 mars të atij viti, rreth orës 10:15 në rrugën Tiranë-Gjirokastër, ndodheshin duke lëvizur me automjetin tip “Mitsubishi” me targa 358E659, shoferi Artan Shijaku dhe pasagjerët Admir Moisiu dhe Rrahman Jata. Në vendin e quajtur stabilimenti i Ujit të Ftohtë, në momentin që automjeti është futur në kthesë ka rrëshqitur duke dalë jashtë kontrollit të drejtuesit. Makina si rezultat i rrëshqitjes me një lëvizje rrotulluese është vendosur perpendikular me aksin e rrugës duke dalë nga rruga dhe duke rrëshqitur përgjatë shpatit të pjerrët dhe ka përfunduar në shtratin e lumit Drino. Nga ky aksident ka gjetur vdekjen shoferi Shijaku e pasagjeri Moisiu, si dhe është plagosur rëndë Jata. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor ka rezultuar se në trupin e Moisiut janë konstatuar dëmtime të jashtme që janë shkaktuar si rezultat i goditjes së trupit në pjesë të ndryshme të automjetit gjatë daljes nga rruga, ndërsa shkak i vdekjes është asfiksia mekanike e shkaktuar nga zënia e rrugëve të frymëmarrjes si rezultat i mbytjes në lumë. Po i njëjti shkak rezulton edhe për vdekjen e shoferit Shijaku.
Dëmshpërblimi
Në lidhje me këtë ngjarje Byroja Shqiptare e Sigurimit, bazuar në ligjet në fuqi ka trajtuar dhe paguar nga fondi i kompensimit praktikën e dëmit shëndetësor për paaftësi, Rrahman Jatën në vlerën 1.219.526 lekë. Ndërsa për Moisiun është paguar në vlerën e 8.201.864 lekë praktikën e dëmit shëndetësor me pasojë vdekjen.
Këto para sipas gjykatës i kanë përfituar familjarët e të ndjerit Moisiu, duke e llogaritur shumën në 6.285.689 lekë për dëmin shëndetësor me pasojë vdekjen dhe 1.916.175 lekë për sigurimet shoqërore. Ndërsa në lidhje me mjetin e tragjedisë gjykata e kryeqytetit ka vërtetuar se në mars 2003 Prokuroria e Shkodrës ka vendosur sekuestrimin e tij, pasi kjo makinë ishte kapur në flagrancë duke hyrë në mënyrë të kundërligjshme nga Mali i Zi. Në shkurt 2004, pak ditë para aksidentit tragjik mjeti i ishte lënë në ruajtje dhe përdorim Prokurorisë së Përgjithshme. Një ditë para aksidentit fatal, shoferi Shijaku ka marrë përsipër mjetin pasi i ishin bërë të gjitha shërbimet në ofiçinë dhe madje i ishin vendosur edhe goma të reja. “Fakti që Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë veprime për ta vënë në qarkullim automjetin rezulton edhe sipas konstatimeve të dhëna në vendimin pushimit të çështjes penale, ku nga hetimet e plota të kryera në drejtimin e gjendjes teknike të mjetit bazuar edhe në aktet e ekspertimit auto-teknik rezulton se mjeti përpara aksidentit i janë kryer shërbimet e nevojshme xhenerike dhe motorike në ofiçinë dhe dy ditë para ngjarjes nga kontrolli i ushtruar është konstatuar funksionim i rregullt teknikisht i mjetit”, thuhet në vendimin gjyqësore që bën përgjegjës për Prokurorinë për dëmshpërblimin dhe jo Byronë e Sigurimeve.
Prokuroria,përgjegjëse për mjetin pa dokumente
TIARNE - “Pala e paditur në cilësinë e personit juridik, është përgjegjëse për vënien në qarkullimin rrugor të “Mitsubishit” me targa 358-E-659, të pasiguruar dhe të papajisur me dokumentacionin duhur ligjor”, thuhet në vendimin e djeshëm të gjykatës së kryeqytetit ku më tej argumentohet se: “Ky automjet është futur në qarkullim rrugor nga punonjës të palës së paditur që kanë qenë direkt përgjegjës për administrimin, ruajtjen dhe përdorimin e këtij mjeti”. Në vendim gjithashtu citohet se, tre të aksidentuarit ishin punonjës të organit qendror të akuzës. “Këta punonjës ishin në shërbim të Prokurorisë në momentin e ngjarjes fatale, çka është pranuar edhe nga përfaqësuesi i palës së paditur në gjykatë, i cili ka sqaruar se ishin nisur me shërbim nga ana e tyre, gjatë ushtrimit të detyrave”, shprehet trupi gjykues. Pas kësaj gjykata argumenton se përgjegjësia për qarkullimin e mjetit pa dokumente bie mbi institucionin qendror të akuzës. f.m.
Pretendimi në gjyq: Mjeti s’kishte urdhër për të shkuar në Gjirokastër
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme dhe Avokati i Shtetit, i cili mbrojti në këtë proces interesat shtetërore kanë pohuar gjatë procesit në Gjykatën e Tiranës se, personat që kanë shkaktuar dëmin, pra tre të aksidentuarit, Admir Moisiu, Artan Shijaku dhe Rrahman Jata, nuk kanë disponuar ndonjë urdhër për ditën e aksidentit që të udhëtonin për në Gjirokastër. Madje në gjyq, përfaqësuesit e palës së paditur pohuan se sipas një urdhri të sekretarit të Përgjithshëm të Prokurorisë së Përgjithshme ndalohen të gjithë mjetet e këtij institucioni për të lëvizur me shërbime jashtë rrethit pa u pajisur më një autorizim të veçantë të sekretarit të Përgjithshëm. Por ky pretendim nuk u pranua nga gjykata, pasi për ta vërtetuar këtë pala e paditur duhet të sillte në proces në cilësinë e provës, të paktën ndonjë autorizim analog për raste të ngjashme, gjë që nuk u bë. Ndërsa pohohet në vendim se në njërën nga seancat gjyqësore u provua se Moisu, Shijaku dhe Jata janë nisur në Gjirokastër ditën e ngjarjes për arsye shtetërore edhe pse nuk dispononin ndonjë urdhër të mirëfilltë eprori. fa.ma.