Banorët e Gërdecit: Do të ankohemi te Presidenti për zvarritjen e procesit
Laureta Rryçi
Tiranë - Ndonëse kanë kaluar më shumë se 7 muaj, ende nuk ka filluar të shqyrtohet dosja “Gërdeci”, me 29 të pandehur, që u dorëzua në Gjykatë më 13 mars të këtij viti. Më të indinjuarit në këtë proces, banorët e Gërdecit, kanë vendosur t’i shkruajnë letër presidentit Bamir Topi për të monitoruar këtë proces gjyqësor në mënyrë që të mos zvarritet, siç ka ndodhur deri tani. Banorët menduan ta merrnin këtë iniciativë pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e cila, si gjithmonë, po për arsye avokatësh, u detyrua ta shtynte procesin për një javë më vonë. Një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkoi gjykim të pandërprerë të çështjeve gjyqësore me qëllim që të mos zvarriten pa fund. Trupi gjykues i kësaj çështjeje, që drejtohet nga gjyqtari Ridvan Hado, tentoi të vazhdonte procesin duke zëvendësuar avokatin Artan Kodheli me një avokat kryesisht. Mirëpo, ky i fundit kërkoi kohë të njihej me materialet që ndodhen në dosje për klientin që do të mbrojë, kësisoj seanca u shty. Dosja ka 29 të pandehur, mes të cilëve; administratori i “Albademil”, Mihal Delijorgji, ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari si dhe disa ish-ushtarakë të lartë që akuzohen si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit.
Seanca
Shtyhet për të disatën herë radhazi procesi gjyqësor ndaj 29 të pandehurve për tragjedinë e 15 marsit 2008. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec gjetën vdekjen 26 persona e u plagosën 300 të tjerë. Procesi gjyqësor, i cili zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, është shtyrë pasi nuk ishte i pranishëm avokati Artan Kodheli, i cili mbron interesat e të pandehurit Agim Lala, një prej ish-ushtarakëve madhorë në Ministrinë e Mbrojtjes. Kodheli depozitoi dje, nëpërmjet asistentit të tij, një shkresë me anë të së cilës informonte trupin gjykues se ndodhej në një tjetër gjyq penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokati kërkonte shtyrjen e seancës duke qenë se nuk ishte prezent edhe klienti i tij, Agim Lala. Kërkesa e tij u rrëzua nga trupi gjykues dhe u quajt e pajustifikuar mungesa e tij në seancë. Për këtë arsye u vendos të zëvendësohej me një avokat kryesisht, Marash Ibrajn. Trupi gjykues pezulloi edhe afatet e paraburgimit të të pandehurve që janë në gjendje arresti si dhe i riktheu avokatin e zgjedhur prej tij Artan Minxollit.
Dosja
Për banorët e Gërdecit, çështja kryesore për t’u dhënë drejtësi për tragjedinë mbetet dosja e mbyllur ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu. Ata pohuan dje se nëse Kushtetuesja nuk rikthen dosjen për gjykim, do të fillojnë me protesta dhe vetëgjyqësi për të vënë në vend drejtësinë për të afërmit e humbur. I pandehur për këtë tragjedi ishte dhe ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit, por Gjykata e Lartë pushoi pak ditë më parë çështjen në ngarkim të tij pasi u vesh sërish me imunitet pasi u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Familjarët e viktima të tragjedisë së Gërdecit kërkojnë që çështja ndaj Mediut të rikthehet për gjykim. Avokatja, përfaqësuesja ligjore e tyre, Blerta Kraja, thotë se ligji ka hapësira për rihapjen e çështjes. Ka gjasa që Prokuroria e Përgjithshme t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe vazhdimin e procesit ndaj republikanit Fatmir Mediu.
Box
Drejtoria e Burgjeve ndëshkon gardianët që ushtruan dhunë
Dy punonjës të policisë së Burgut të Shën Kollit në Lezhë janë pushuar nga puna nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa një tjetër është pezulluar për veprime që bien ndesh me ligjin. Këto masa janë marrë pas ngjarjes së ndodhur më 10 shtator në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, kur punonjësit e policisë mendohet se kanë vepruar në kundërshtim me rregulloren e brendshme të burgut, gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një konflikti midis disa të dënuarve. Në një njoftim, shpërndarë për mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bëhet e ditur se pas evidentimit të ngjarjes në Burgun e Shën Kollit, është marrë masa administrative me pushim nga puna për dy punonjës policie, ndërsa për një tjetër është marrë masa administrative e pezullimit për një periudhë kohore prej 3 muajsh. Gjithashtu, në kuadrin e këtyre masave, drejtori i Burgut të Shën Kollit dhe shefi i sigurisë në këtë institucion janë paralajmëruar me masën administrative largim nga detyra në rast të përsëritjes së ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Nëpërmjet njoftimit zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron se është e vendosur që të marrë të gjitha masat e nevojshme jo vetëm për të garantuar liritë dhe të drejtat e personave që vuajnë dënimin në IEVP në të gjithë vendin, por të zbatojë me rigorozitet ligjin ndaj të gjithë atyre punonjësve, të cilët nuk zbatojnë rregulloret e brendshme apo kryejnë veprime në kundërshtim me ligjet.
24 Shtator 2009