Zgjedhjet e pjesshme lokale, Rama takon deputetët e zonave
Përveç zgjedhjeve për kryetarin e PS-së më 26 shtator, Partia Socialiste po përgatitet paralelisht edhe për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Janë të paktën 5 njësi të qeverisjes vendore në të cilat do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme për shkak se drejtuesit e tyre dhanë dorëheqjen duke qenë se kandiduan për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Për këtë arsye, kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me deputetët e rajoneve që mbulojnë njësitë vendore në fjalë. Takimi është zhvilluar pa praninë e medias, por mësohet se është folur në lidhje me përgatitjet e PS-së për këto zgjedhje, por kryesisht edhe për qëndrimin që do të mbajë kjo forcë politike, pasi ekziston një mundësi që PS-ja t’i bojkotojë zgjedhjet e pjesshme vendore. Këto të fundit do të zhvillohen konkretisht në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë, në Bashkinë e Klosit, në Bashkinë e Fushë-Arrëzit, Fierzës si dhe në komunën Otllak në Berat. Ndërkaq, ditën e hënë, Partia Socialiste do të bëjë të ditur vendimin e saj për të vijuar bojkotin e Kuvendit ose për ta ndërprerë atë. Kjo pasi të bëhet zgjedhja e kryetarit të ri të saj. 82 mijë socialistë në 12 qarqe të vendit do t’u drejtohen kutive të votimit në datën 26 për të zgjedhur kreun e ri të Partisë Socialiste, pas ndërprerjes së mandatit për kreun aktual, Edi Rama. Të shtunën do të votohet për të zgjedhur mes dy kandidatëve zyrtarë, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, të cilët dje kanë përfunduar zyrtarisht fushatën e nisur më 1 shtator. Janë mbi 300 qendra votimi, të cilat, sipas rregullores, do të ngrihen pranë çdo njësie të qeverisjes vendore në vend, ku tashmë kanë nisur përgatitjet për ditën e votimit. Pranë Partisë Socialiste këtë mesjavë ka përfunduar tërheqja e materialeve zgjedhore, me të cilave edhe të 82 mijë fletëve të votimit që do të përdoren më 26 shtator.
24 Shtator 2009