Dule: Zgjedhje të parakohshme, së bashku me zgjedhjet lokale
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka deklaruar se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është i vetmi opsion që mund të zgjidhë krizën politike që po kalon vendi pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Dule ka hedhur gjithashtu një ide tejet interesante teksa ka deklaruar se do të ishte një opsion mjaft i mirë që zgjedhjet e parakohshme të zhvilloheshin në vitin 2011, pra në të njëjtën kohë me zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Kreu dhe njëkohësisht deputeti i vetëm i PBDNJ-së në Kuvend i ka bërë thirrje si Partisë Demokratike, ashtu dhe Partisë Socialiste që të tërhiqen nga pretendimet e tyre dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët në funksion të interesave të së ardhmes dhe integrimit të vendit.
Zgjedhjet
Dule, i cili është i vetmi deputet opozitar që nuk e ka bojkotuar Kuvendin, e cilëson jo të duhur vendimin e PS-së për të bojkotuar Kuvendin, por, nga ana tjetër, ai nuk mbështet qëndrimin e PD-së për të penguar zbardhjen e së vërtetës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Për këtë arsye, kreu i PBDNJ-së ka kërkuar nga të dyja palët që të gjejnë rrugën e kompromisit. Sipas Dules, duhet krijuar një qeveri teknike, me bazë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, e cila do të kujdeset për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ai thekson se do të ishte një opsion shumë i mirë në rast se zgjedhjet e parakohshme do të zhvilloheshin në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale, pra në vitin 2011. “Edhe opozita mund të bëjë një hap mbrapa në pretendimet e veta, sikurse edhe qeveria mund të bëjë një hap mbrapa në pretendimet e veta në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, dhe të dyja palët duhet të bëjnë nga një hap përpara, në atë që quhet e ardhmja, që është integrimi. Nuk mund të ishte një zgjidhje e keqe, që së bashku me zgjedhjet për pushtetin vendor, të shkonim edhe në zgjedhjet parlamentare, pasi të kishim respektuar të gjitha ato rekomandime që na janë thënë nga të gjitha ato institucione kompetente ndërkombëtare deri sot”, - theksoi Dule.
Kompromisi
Kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut theksoi se në kushtet ku gjendet vendi është shumë e rëndësishme arritja e një kompromisi historik. Sipas tij, vetëm ky kompromis mund ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale politike. Ai i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të mos injorojë pretendimet e opozitës se zgjedhjet e 28 qershorit janë manipuluar dhe deformuar. Dule i ka kujtuar kryeministrit Berisha se përpara se të mendojë për lobimin ndërkombëtar, duhet të ketë parasysh faktin se rreth 50% e shqiptarëve nuk pajtohen me të. “Të ngrihemi të gjithë mbi interesat e vogla të ditës. Duhet një kompromis historik. Çfarëdo që mund të pretendojë zoti kryeministër, kushdo që mund ta takojë dje, sot, nesër në Nju Jork, e di se nuk ka besimin, pëlqimin dhe aprovimin e të paktën gjysmës së qytetarëve të vendit të tij. Po u kultivua vullneti i dyanshëm politik, formula e daljes nga impasi aktual do të jetë një çështje shumë e lehtë”, - tha Dule.
Zgjedhjet e parakohshme, premtim i Ramës dhe Lakrorit për anëtarësinë socialiste
Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme ka qenë një prej premtimeve kryesore që dy kandidatët për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, kanë bërë përpara anëtarësisë socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, menjëherë pas formimit të maxhorancës së re qeverisëse, përveç kontestimit të rezultatit zgjedhor, paralelisht i ka mëshuar fort edhe zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, kritikët e Ramës, 5 deputetët; Ben Blushi, Kastriot Islami, Andis Harasani, Arben Malaj dhe Marko Bello, kanë deklaruar se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është një opsion i parealizueshëm për sa kohë që Partia Socialiste do të vijojë bojkotin e Kuvendit. Gjithsesi, Rama ka deklaruar të kundërtën. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme janë një opsioni i mundshëm, mjafton që PS-ja të rezistojë, të mos falë zgjedhjet e 28 qershorit dhe të mos pajtohet me manipulimet dhe deformimet e ndodhura. Kjo ide është mbështetur edhe nga ish-deputeti demokrat, aktualisht kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i cili deklaroi dy ditë më parë se bojkoti i PS-së është e vetmja rrugë që rrëzon qeverinë. Ndërkaq, zgjedhjet e parakohshme janë premtuar vazhdimisht edhe nga kandidati tjetër për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Maqo Lakrori. Në takimin e zhvilluar dy ditë më parë në Tiranë, ai tha se synon ndërtimin e një opozite të fortë, e cila do të punojë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme sa më shpejt që të jetë e mundur.
24 Shtator 2009