E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Varfëria nuk luftohet nëse më parë nuk luftohet korrupsioni”



Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në SHBA, ishte i ftuar në Konferencën me temë “Zhvillimi dhe bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga “Millenium Challenge Corporation” dhe organizata “Interaction”. “Millenium Challenge Corporation”, agjencia e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, bazohet në parimin se ndihma më eficiente ndaj këtyre vendeve është forcimi i një qeverisjeje të mirë dhe investimi te njerëzit që promovojnë rritjen ekonomike.
“Interaction” është organizata-aleancë më e madhe në SHBA, e cila mbledh në gjirin e saj 180 Organizata Joqeveritare dhe që bashkëpunon ngushtë me qeveritë, por edhe me komunitetet lokale për të mundur varfërinë dhe për të rritur cilësinë e jetesës për njerëzit. Gjatë takimit të organizuar nga këto organizma prestigjiozë jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, së bashku me kryeministrin Berisha ishin të ftuar të referonin mbi luftën kundër varfërisë edhe liderë të tjerë nga vende, të cilat kanë përfituar nga programet e ndihmës së “Millenium Challenge Corporation”. Fjala përshëndetëse e kryeministrit Berisha në këtë eveniment u fokusua mbi rëndësinë e reformave në luftën kundër korrupsionit, pjesë thelbësore e së cilës janë edhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare me mbështetjen jetike të “Millenium Challenge Corporation”. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se nuk mund të luftohet varfëria nëse më parë nuk është luftuar korrupsioni. “Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë dhe eficiente për të luftuar varfërinë dhe mizerien, sesa lufta kundër korrupsionit, ndaj jam shumë i lumtur se kjo iniciativë e nisur nga presidenti Bush u mbështet plotësisht edhe nga presidenti Obama. Kjo në bindjen time është një nga ndihmesat më të mëdha që SHBA u kanë dhënë vendeve të tyre mike si Shqipëria”, - tha kryeministri Berisha.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›