Banorët e Gërdecit, padi në Gjykatën e Lartë për tragjedinë
Tiranë - Mbërrin në Gjykatën e Lartë edhe kërkesë-padia e 11 familjarëve të Gërdecit, e cila i është bashkëngjitur dosjes penale ku të akuzuar janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe 28 ish-ushtarakë të lartë dhe titullarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Përveç dosjes penale në ngarkim të tyre, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë edhe padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit. Lajmin e bëjnë të ditur burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Prokurorët i kanë bashkangjitur dosjes edhe kërkesë-padinë e 11 familjarëve. Familjarët e viktimave të vrara më 15 mars të vitit 2008 kanë paditur ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin, kompaninë shtetërore “MEICO”, kompaninë “Albademil”, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Kryeministrinë. Padia civile ndodhet tashmë në duart e kolegjit penal, që do të gjykojë çështjen. Familjarët kërkojnë 20 milionë lekë për çdo viktimë të tragjedisë.
20 Mars 2009