E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Gurrës, protestë ndaj akuzave të Carla del Pontes

BURREL- Kanë protestuar ashpër banorët e fshatit Gurrë të Matit, që u bë i njohur falë akuzave që ish-Kreu i Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte lëshoi në lidhje më transplantet që, sipas saj në një rajon të Shqipërisë së Veriut janë bërë nga ana e ushtarakëve të UÇK-së ndaj ushtarëve serbë. Madje sipas Del Pontes, është vënë dhe “gishti” mbi shtëpinë ku janë kryer transplantet e organeve të shtetasve serb. Dhe pikërisht më i irrituari nga kjo akuzë absurde ka qenë banori i këtij fshati Abdulla Katuçi, 74 vjeç, i cili hodhi poshtë me indinjatë shpifjet që i janë bërë shtëpisë së tij, fshatit dhe tërë vendit tonë. Ka qenë një fjalë e pritur me duartrokitje dhe nën miratim të plotë nga tërë protestuesit që kanë marrë pjesë në këtë tubim. Edhe banorë të tjerë janë shprehur se kjo akuzë është shumë e rëndë dhe ka fyer nderin dhe traditën e këtij fshati të përmendur, ashtu si dhe zakonet shqiptare.

Në protestë pos banorëve të këtij fshati kanë qenë pjesëmarrës dhe të rinj të ardhur nga qyteti i Burrelit. Protesta është zhvilluar afër shtëpisë së Katuçit ndërsa prihej nga deputeti i zonës Qemal Minxhozi, kryetari i komunës Sali Celami si dhe intelektualë të kësaj krahine. Protestuesit mbanin në duar pankarta dhe flamuj kombëtar.

Deputeti Minxhozi tha se akuza e bërë është e rëndë dhe e pasens, na është shkelur besa dhe nderi, tradita dhe institucionet tona të shenjta që në këto anë respektohen prej shekujsh. Më tej ai u ka thënë të pranishmëve se këto janë trillime të medias dhe politikës serbe si dhe lajthitje të pakuptimta e dashakeqe të ish-prokurores së Tribunalit të Hagës Carla del Ponte. Të gjithë këta faktorë në unison po mundohen të krijojnë një Përrallë të Madhe, e cila ngrihet thjeshtë mbi fantazinë e sëmurë dhe realitete fantazmagorike që nuk ekzistojnë askund.

Në fjalën e tij kryetari i komunës Sali Celami tha se kërkonte nga autoritetet shqiptare zbardhjen e të vërtetës. Ndërkohë banorë të zonës i bënë thirrje qeverisë dhe diplomacisë shqiptare të mos heshtë por të hedhë poshtë akuzat dhe trillimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›