Ekzekutim mafioz, vriten nënë e bir
Krimi për shkak të pazareve të drogës
TIRANË- Vrasja e Elton Deliut dhe nënës së tij paraditen e djeshme në kryeqytet dyshohet se ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të vjetra të drogës dhe problemeve personale të këtij të fundit. Krimi që ndodhi brenda në banesën e viktimave ka alarmuar jo pak policinë e Tiranës e cila ka qenë e angazhuar pasditen e djeshme në mbledhjen e informacioneve për të kaluarën e viktimës por edhe me marrjen në pyetje të shumë personave. Policia bëri të ditur mbrëmë se po hetohen disa pista për ekzekutimin, ku më kryesorja mbetet vrasja për motive hakmarrjeje dhe pazaret e drogës. “Elton Deliu njihej si kontingjent krimi nga policia e kryeqytetit. Ai ka qenë më parë i arrestuar për trafikim droge, ndërsa ka qenë edhe “shënjestër” e një atentati por shpëtoi paq nga plumbat që u derdhën në drejtim të tij”,- thanë për “Shekullin” burime nga policia.
Hetimi
Elton Deliu duket se nuk ka qenë i mbrojtur as në banesën e tij në qendër të Tiranës në mes të ditës. Autorët kanë gjurmuar Deliun prej shumë kohësh duke krijuar edhe një skemë të qartë të lëvizjeve të tij. Rrethanat në të cilat ka ndodhur krimi kanë shtyrë oficerët e policisë kriminale të mendojnë se bëhet fjalë për një vrasje të ideuar më parë dhe të organizuar mirë. Burime nga policia thanë se dy vjet më parë dy persona tentuan të vrisnin Deliun dhe që prej atëherë ai ruhej. Edhe katër vite më parë ai është bërë objekti i një shkëmbimi zjarri, ku këtë herë ishte vetë atentatori. Ndërkohë që vrasja e tipit mafioz ka detyruar policinë të hetojë në disa pista. “Policia ka hedhur disa pista dyshimi për vrasjen. Dyshohet se ajo mund të ketë pasur për motiv hakmarrjen, apo prishjen e pazareve të drogës mes viktimës dhe autorëve gjë e cila mbetet për tu verifikuar. Kjo pistë bazohet nga dyshimet e policisë se Deliu merrej me trafik droge. Por nuk përjashtohet edhe pista e ndonjë konflikti çasti që mund të ketë pasur 32-vjeçari dhe ka degjeneruar deri në vrasjen e tij më pas”, thanë për “Shekullin” burime nga policia.
Autorët
Policia dyshon se ata kanë qenë më shumë se dy. “Dyshohet se dy persona janë ngjitur deri në katin e gjashtë ku banonte familja Deliu, ndërsa mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për largimin nga vendi i ngjarjes”,- thanë burimet policore. Dyshohet se autorët kanë ruajtur lëvizjet e 32-vjeçarit dhe pasi janë siguruar se ai ndodhej në banesë janë ngjitur dhe kanë trokitur në derë. Lëvizjet e tyre kanë qenë tepër normale duke mos rënë në sy nga banorët e pallatit, ndërsa edhe pasi kanë kryer vrasjen ata i kanë dhënë kohë vetes të pastrojnë vendin e ngjarjes. Burime konfidenciale nga policia thanë për gazetën se autorët e krimit janë përpjekur që të mbledhin gëzhojat në vendin e ngjarjes por nuk ia kanë arritur. “Kemi gjetur vetëm pak gëzhoja në shtëpi. Dyshojmë se vrasësit kanë dashur që t’i mbledhin të gjitha por nuk ia kanë arritur qëllimit”,- thanë hetuesit e ngjarjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia ka marrë në pyetje me dhjetëra persona si dëshmitarë apo të dyshuar për ngjarjen por pa rezultat konkret.
Fatkeqësitë e familjes Deliu
Disa vite më parë, familja Deliu humbi kryefamiljarin. Ka qenë një aksident rrugor që i mori jetën babait të Elton Deliut, ndërsa mbeti i plagosur rëndë vëllai i tij më i vogël. Ky i fundit mundi t’i shpëtonte vdekjes nga aksidenti që pësoi bashkë me babanë e tij, por katër vjet më parë fati nuk ishte me të. Ai po udhëtonte me motor pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë bashkë me një shoqen e tij, kur u përplas te një pemë. Për pasojë dy të rinjtë mbetën të vdekur në vend. Ndërkohë që dy vdekjet e familjes Deliu u dyfishuan ditën e djeshme. Kështu Flutura Deliu dhe djali i saj Elton Deliu mbetën të vdekur pasi persona të panjohur i ekzekutuan brenda në banesë. Aktualisht policia zyrtarisht deklaron se motivet e vrasjes janë ende mister.
Viktima Elton Deliu më parë i arrestuar
Rreth dy vjet më parë policia e Tiranës njoftoi se kishte kapur dy të rinj me përzierës heroine. Mes tyre ishte edhe Elton Deliu. Policia deklaroi në atë kohë se lajmërimin për kapjen e Deliu dhe të riut F.K, kishte ardhur në rajon, nga një taksist i cili kishte dalluar një pistoletë në automjetin me të cilin udhëtonin dy të arrestuarit. Policia u nis menjëherë në vendngjarje, në afërsi të bulevardit “Zogu i Parë” dhe shoqëruan dy të dyshuarit në rajon, pasi njëri prej tyre, pikërisht Deliu, kishte një pistoletë pa leje. Pas një kontrolli në banesën e të riut me iniciale F.K u gjet edhe sasia e lëndës narkotike, që për momentin u mendua se ishte heroinë. Pasi qëndroi për pak kohë në qeli, 32-vjeçari Elton Deliu u la i lirë. Burimet policore shtojnë se kishin dyshime se ai trafikonte drogës por një gjë e tillë nuk ishte provuar.
Elton Deliu tentoi të vriste ish- shokun e tij për shkak të një pazari të prishur heroine
Shkëmbimi i zjarrit tek “Ramazan Shijaku”
Në qershor të vitit 2005 Elton Deliu u bë protagonist i një shkëmbimi zjarri që për më shumë se 20 minuta ka terrorizuar një lagje të tërë. Gjatë mbrëmjes Deliu i njohur edhe me pseudonimin “Toçja” dhe tre miqtë e tij kanë tentuar të vrasin një person tjetër. Shkaku i sherrit ishte një konflikt i lindur vetëm pak ditë më parë në lidhje me një sasi heroine. Objektivi i atentatit i kishte marrë Deliut “mallin” dhe nuk i kishte dhënë paratë që i takonin. Ish- shokët janë përleshur me njëri- tjetrin në rrugën “Ramazan Shijaku” në kryeqytet. Bandat janë përleshur me armë zjarri, teksa Deliu lëvizte me një mjet tip BMV, ngjyrë të zezë. Rrugica e ngushtë është bërë skena e dhjetëra breshërive të automatikëve të të dyja palëve. Banorë të zonës por edhe kalimtarë të rastit janë detyruar që të futen në shtëpitë përdhese që ndodheshin në atë kohë në rrugë ose janë shtrirë në tokë. Fatmirësisht asnjë nga qindra plumbat e derdhur atë natë nuk ka prekur njeri. Objektivi i atentatit arriti që të largohej. Pak kohë më pas, policia arrestoi dy persona për këtë ngjarje por më pas rezultoi se ata nuk kishin aspak lidhje dhe u lanë të lirë. Por hetuesit pohuan se ky konflikt nuk mund të ketë lidhje me ngjarjen e djeshme.
Elton Deliu është vrarë në derën e shtëpisë së tij me 11 plumba. Nëna ekzekutohet teksa po flinteEkzekutim mafioz, vriten 32-vjeçari dhe e ëmaTIRANË- Një ekzekutim mafioz i pamëshirshëm ka tronditur kryeqytetin paraditen e djeshme. Një person i njohur si kontingjent nga policia është ekzekutuar me 11 plumba në trup dhe kokë brenda banesës së tij. Vrasësit nuk kanë kursyer as nënën e viktimës. Ajo është vrarë në shtrat pasi ekzekutorët mendonin se i kishte njohur. Vrasja ka ndodhur rreth orës 15.00 të ditës së djeshme në një prej pallateve vetëm pak metra larg Presidencës. Viktima është 32-vjeçari Elton Deliu dhe nëna e tij Flutura, 52-vjeçe. Trupat pa jetë janë gjetur disa minuta më vonë nga e fejuara e viktimës brenda apartamentit të tyre. Nga hetimet e para vrasja mendohet të jetë kryer me pistoleta me silenciator. Hetuesit ende nuk kanë mundur që të zbulojnë nëse janë përdorur një apo dy pistoleta. Deri në orët e vona të mbrëmjes ky ekzekutim tepër profesionist është mbuluar nga një hije misteri.
Vrasja
Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme në banesën e Flutura Deliut ka trokitur dera. Mësohet se djali saj i cili ishte pikërisht ai që i duhej autorëve ka shkuar për të hapur derën ndërsa është përballur me persona të njohur. Këta të fundit dyshohet se nuk kanë folur asnjë fjalë por kanë zbrazur një karikator pistolete mbi të duke e lënë të gjakosur në dysheme. Ata kanë përdorur pistoletë me zhurmëmbytës dhe në këtë mënyrë nuk janë diktuar nga askush. Të sigurt se Elton Deliu nuk mund të shpëtonte gjallë nga plumbat e shumtë, autorët kanë hyrën në ambientet e brendshme të banesës ku kanë gjetur në krevatin e saj të flinte gjumë nënën e 32-vjeçarit, Flutura Deliu. Dyshohet se për të qenë të qetë se nuk i kishte parë askush autorët nuk kanë kursyer as jetën e gruas që ndodhej në gjumë duke e qëlluar me një plumb në kokë. “Dyshohet se autorët kanë eliminuar edhe nënën e të riut për ta shmangur si dëshmitare pasi ata mund të kenë menduar se ajo nuk flinte gjumë por i kishte parë” thanë burimet policore. Vrasja e planifikuar më parë u ka dhënë kohë autorëve ku policia dyshon se kanë qenë dy, të mos lënë shumë gëzhoja në vendin e ngjarjes. Më pas ata kanë zbritur qetësisht dhe janë larguar nga garazhi, kati i nëndheshëm i pallatit shumëkatësh. Nënë e bir janë gjetur nga e fejuara e këtij të fundit e cila kishte qenë dy orë para ngjarjes në banesë dhe kishte shkuar te një parukeri pranë pallatit për tu rikthyer sërish. Kur ajo është rikthyer në banesë ka gjetur trupat e tyre të gjakosur. Mësohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa nëna e tij gjeti vdekjen e menjëhershme.
Policia
Për ngjarjen u sinjalizua policia e cila mbërriti menjëherë për të bërë këqyrjen e provave. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, rrethuan vendin e ngjarjes, ndërsa oficerët e zyrës së vrasjeve pranë policisë së Tiranës por edhe zyrtarë të lartë të kësaj drejtorie u angazhuan për të bërë këqyrjen e provave në vendin ku u vranë nënë e bir. Burime nga policia thanë se policia shoqëroi disa fqinjë të viktimave për të marrë ndonjë dëshmi në lidhje me mekanizmin e ngjarjes, ndërsa u mor në pyetje edhe e fejuara e 32-vjeçarit Elton Deliu. Të njëjtat burime shtuan se vrasja ka qenë e organizuarmirë autorët e së cilës kanë planifikuar me detaje kryerjen e ekzekutimit. Ata janë përpjekur të mos gabojnë gjë e cila do t’iu kushtonte atyre prangat. Mësohet se autorët qetësisht janë ngjitur në katin e gjashtë të pallatit ku banonte familja Deliu dhe pasi kanë kryer vrasjet mundën të mblidhnin edhe gëzhojat dhe më pas janë larguar sërish qetësisht duke i shpëtuar policisë.
Viktima
Elton Deliu 32- vjeç dhe nëna e tij Flutura, 52-vjeç janë qëlluar me pistoletë brenda banesës së tyre. Atentatorët kanë hipur deri në katin e gjashtë dhe pasi kanë kryer krimin kanë zbritur qetësisht pa u diktuar nga askush
Vdekja
Flutura Deliu është ekzekutuar me një plumb në kokë teksa po flinte dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Djali i saj 32-vjeçar, ishte ende gjallë kur mbërriti policia në vendin e ngjarjes. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital
Motivi
Të dhënat e para të policisë flasin për një vrasje të organizuar prej kohësh. Dyshimet e para të hetuesve janë se motivi i ngjarjes së rëndë ka qenë prishja e pazareve të vjetra të drogës, por nuk përjashtohet as hakmarrja
Hetimi
Policia e kryeqytetit ka marrë në pyetje dhjetëra persona por pa mundur që të krijojë një ide të qartë në lidhje me vrasësit. Ata janë treguar shumë gjakftohtë kur janë larguar dhe kanë lënë pak gjurmë në vendin e ngjarjes
Zbulimi
Nënë e bir janë gjetur nga e fejuara e djalit, e cila kishte qenë dy orë para ngjarjes në banesë dhe kishte shkuar te një parukeri pranë pallatit për tu rikthyer sërish. Kur ajo është kthyer ka gjetur trupat e tyre të gjakosur